Refuzimi i ftesës për raportim nga Selmanaj, VV: Tema e të pagjeturve për të është konsumuar
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi zëvendëskryeminsitri Driton Selmanaj nuk është përgjigjur ftesës së deputetëve të saj për të raportuar në Komision për Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione për çështjen e të pagjeturve.
Sipas Vetëvendosjes kjo kërkesë është refuzuar nga Selmanaj duke thënë se kjo temë është “konsumuar, ezauruar dhe nuk është më oportune të flitet për të më shumë nga ajo që është folur në debatin parlamentar, ani pse aty nuk është dhënë asnjë shpjegim nga Kryeministri Hoti”.
“Selmanaj flet për të pagjeturit me një gjuhë biznesi sikur të ishte duke folur për mallra e jo për njerëz. Çështja e të pagjeturve lëre që nuk është trajtuar fare në negociata me Serbinë, por ajo po tentohet tash të na bëhet si temë e hargjuar përkundër faktit që për gjithë këto vite të pasluftës familjarët presin për fatin e edhe 1643 njerëzve” thuhet në reagimin e VV-së.