Refuzimi bizar i shtatorës së Anton Çettës
Këshilli Drejtues i ka dalur në mbrojtje qendrimit të Insitutit Albanologjik të vitit 2010 dhe, sërish, ka refuzuar lejimin e ngritjes së shtatorës së Anton Çettës, pedagog, mbledhës folklori dhe njëri nga personalitetet kryesore të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në vitin 1990 në Kosovë.
Refuzimi i Institutit Albanologjik, ashtu si para tetë vitesh, edhe kësaj radhe është bizar. Dhe, nuk ka fare karakter mjedisor, siç mundohen ta kamuflojnë këtë refuzim udhëheqësit e tij.
Lerini spekulimet!
Refuzimi i sërishëm i vendosjës së shtatorës së Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik, njëkohësisht nuk ka kurrëfarë prapavije apo karakteri politik. Nuk ka të bëjë asgjë me të qenurit e tij fizik dikur në LDK. Fundi, shtatorja profesor Anton Çettës do t‘i ngritej në shenjë nderimi të punës së tij shkencore si mbledhës i folklorit, pedagogjike si dhe kontributit të tij madhorë në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë.
Problemi është më i thellë. Dhe, uroj me gjithë qenien time, që në vete të mos ketë motive religjioze, ashtu siç po përflitet. Sepse, veç tjerash, kjo do ta dëmtonte imazhin shembullor të ngritur mbi bazën e tolerancën dhe bashkëjetesën fetare shembull të Kombit tonë të dëshmuar ndër shekuj.
Prandaj, të kërkuarit e problemit atje ku nuk ekziston, nuk paraqet vetëm dyfytyrësi, por manifeston edhe vullnetin e ligë për fshehjen e realitetit dhe për ta komplikuar edhe më tej gjetjen e zgjidhjes.
Për t’i ikur kurthit bizar që ka ngritur Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik, i cili mbi gjithçka mund të prodhojë debate dhe tensionime të panevoijshme, që nuk e nderojnë as Insitutin, por as nuk i hyjnë në punë për së mbari shtetit të Kosovës,Këshilli Organizativ do të duhej të merrte në konsideratë gatishmërinë e Fakultetit Pedagogjik për t’i bërë vend në oborrin e tij shtatorës së Anton Çettës dhe në bashkëpunim të ngushtë me dekanatin e tij, Ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës, t’i japi zgjidhje meritore ngritjës së shtatorës së Anton Çettës.
Gjithsesi që profesor Anton Çetta meriton respekt më të madh si nga akterët e përfshirë në çështjen e ngritjes së shtatores ashtu dhe nga e gjithë shoqëria jonë.