Reformat në AAK, Ramush Haradinaj përsëri kryetar i partisë
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpallur zgjedhjet e reja të brendshme. Për shkak të këtyre zgjedhjeve edhe Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë. Ai tashmë është vetëm ushtrues detyre i kryetarit. Por, gjasat janë të mëdha që Haradinaj të kthehet përsëri në krye të parisë. Këtë e thonë edhe njerëz brenda partisë e analistët polikë.
Ramush Haradinaj brenda pak muajve ka dhënë dorëheqje nga dy poste. Ai fillimisht la detyrën e kryeministrit të vendit. Kurse, tani Haradianj është larguar edhe nga posti i kryetarit të partisë së tij, AAK-së.
Dorëheqja e tij nga pozita e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kovës, erdhi si pasojë e shpalljes së zgjedhjeve të brendshme partiake.
E Haradinaj në një deklarim për media bërë me dije se deri në Kuvendin e ri të AAK-së do të jetë vetëm ushtrues detyre i kryetarit.
“Jam i dorëhequr. Do të thotë prej kuvendit të fundit të punës që e mbajtëm jam i dorëhequr. Kryej vetëm funksionet në dorëheqje që i kemi deri në zgjedhje”, tha Ramush Haradinaj.
Haradinaj gjithashtu për media kishte treguar edhe teknikat e zgjedhjeve brenda partisë, duke thënë se këto zgjedhje janë shumë sfiduese duke pasur parasysh se ka një numës të madh të kundërkandidatëve.
“Ne e kemi hapur votën në total, në këtë rast nëse kandidon Ramush Haradinaj nuk e ka një kundërkandidat, por i ka 100 kundërkandidatë. Kemi bërë lëvizjen më të guximshme të mundur për hapje të garës dhe po ashtu e kemi bërë një lëvizje të guximshme me Prishtinën”.
Por edhe pse Haradinaj ka deklaruar se zgjedhjet brenda partisë do të jenë të hapura dhe liberale, në anën tjetër anëtarë të AAK-së thonë se besimi maksimal i të gjitha degëve i takon Ramush Haradinajt.
Time Kadriaj, anëtare e kryesisë së AAK-së ka thënë për FaktePlus se gjithkush mund të kandidojë për kryetar të AAK-së, por sipas saj, Ramush Haradinaj do të jetë përsëri në krye të kësaj partie.
“Jemi në zgjedhje brendapartiake dhe normal që konsiderohet që jemi të gjithë në dorëheqje, me ndryshimet në statutin e deritanishëm secili kandidat, delegat i kuvendit mund të jetë në garë për këshill drejtues por edhe kryetar partie. Është rregulluar që gjithçka të jetë demokratike. Po unë besoj që zoti Ramush Haradunaj ka me qenë përsëri kryetar se e ka besimin maksimal të degëve dhe të anëtarësisë”.
(Time Kadriaj, anëtare e kryesisë së AAK-së)
Se Ramush Haradinaj do të jetë kryetarë i AAK-së për FaktePlus e thotë edhe analisti Imer Mushkolaj duke thënë se AAK është parti e cila nuk mund të funksionoj pa Ramush Haradinajnë në krye të saj.
“Është thjesht largim formal, për të respektuar statutin e partisë. Kurdo që mbahet kuvendi, ai sërish do të zgjidhet kryetar. AAK bënë pjesë në partitë lideriste, të qeverisura me autoritet të fortë të liderit dhe nuk mund të paramendohet që të udhëhiqet nga dikush tjetër, përveç Ramush Haradinajt. Madje, partia nuk e ka ndërruar kryetarin as gjatë kohës sa Haradinaj ka qenë në Hagë.
Ai ka treguar se krejt kjo po bëhet se krijuar përshtypjen e diçkaje të madhe që po ndodh brenda AAK-së.
“Pra, lëvizjet e tanishme janë sa për të krijuar përshtypjen e diçkaje të madhe që po ndodh brenda AAK-së, por në fakt nuk po ndodh asgjë. AAK nuk funksionon pa Ramush Haradinajn në krye”.
(Imer Mushkolaj, analist politik)
Madje për zgjedhjet brendapartiake të AAK-së, ka folur edhe Daut Haradinaj i cili ka thënë se zgjedhjet do të jenë shumë demokratike dhe të hapura i cili do të përfundoj në afatet e parapara.
“Disa shkrime në portale kanë informuar gabimisht për zgjedhjet dhe reformat statutare në AAK. Reformat kanë filluar menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe janë proces normal që do të përfundojë brenda afeteve të parapara. Nuk ka agjenda të fshehta e as konspiracione.
Procesi është i hapur, transparent e demokratik. Është e çuditshme si bëhet lajm një proces disa muaj më pas. Nëse dikush mendon që përmes këtyre lajmeve të fus përçarje, krijojë diversion nga dështimet e veta, e ka shumë gabim”, përfundoi Daut Haradinaj.
(Daut Haradinaj, nënktyatri i AAK-së)
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), më 29 dhjetor të vitit që lam pas, shpalli zgjedhjet e reja të brendshme./FaktePlus/.