Reforma e administratës, shoqëria civile kritikon për mungesë vullneti (VIDEO)
Reforma në administratën publike tash e sa vite vazhdon të mbetet vetëm kërkesë, pasi në praktikë nuk po zbatohet. Mbi popullimi i administratës, punësimi në baza partiake e të pakualifikuara, kanë qenë kritikat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, shoqërisë civile e mediave.
Megjithatë, në Qeverinë e Kosovës thonë se tanimë me miratimin e disa projektligjeve për reformën në administratën publike kanë bërë hapa përpara për reformën e kërkuar e cila është edhe nevojë.
Ministri në detyrë i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka thënë për FaktePlus se pasi të nis zbatimi i tri ligjeve të pakos së reformave në administratë do të shihen rezultatet e kësaj reforme.
“Është një prej kërkesave jo vetëm nga KE-ja por është nevoja e administratës shtetërore në Kosovë…Kështu që është nevojë por është edhe kërkesë. Por edhe vlerësohemi nga këto çështje nga ana e Komisionit Evropian. Me aprovimin tri ligjeve nga pakoja e administratës publike e cila pritet të zbatohet atëherë shihet sa kemi përparuar. Por në këtë kohë shumë ndryshime dhe iniciativa kemi realizuar dhe administrata është një prej shtyllave kryesore të shtetit”, tha Yagcilar.
Mirëpo, ministri në detyrë shpreh keqardhje për pezullimin e ligjit për zyrtarët publik nga Gjykata Kushtetuese, pasi reformat lidhen shumë me këto ligje.
“Këto çështje lidhen me këto tri ligje, sidomos ligji për zyrtarët publik, por për fat të keq është pezulluar edhe nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës së Avokatit të Popullit. Ky ligj garanton këto çështje, edhe punësimi të jetë sipas meritës, gjithashtu vlerësimet të jenë sipas punës, por avancimi dhe modernizimi i administratës publike të jetë më e theksuar, këto çështje i garanton ligji për zyrtarët publik, këtë e garanton edhe ligji për pagat, por ka mendime ndryshme, ka kundërshtime, ka edhe ankesa”, thotë ai.
Yagcilar e quan të pabazë kërkesën e Avokatit të Popullit për ta pezulluar këtë ligj.
“Sa i përket pezullimit dhe kërkesës ne po mendojmë si Ministri dhe Qeveria që ato pretendime nuk kanë bazë. Sepse në ligjin për zyrtarët publik lejohet pavarësia e institucioneve të pavarura…Ne jemi duke përcaktuar vetëm parime dhe rregullore që duhet të veprohet sipas dispozitave, ndërsa pavarësia është të pranimi i shërbyesve civil të institucioneve të pavarura të garantuara me ligj. Sido qoftë do të jenë edhe dëgjimet gjyqësore edhe në kuadër të Kushtetuese, si Ministri ndoshta do të bëjmë ankesë kundër ankesës së Avokatit të Popullit që të sqarohen këto çështje sepse qëllimi është të kemi një administratë publike e cila është profesionale, e modernizuar dhe e përgatitur për reformat në administratën publike”, u shpreh ai.
Kurse, zyrtarë nga dy partitë që pritet të krijojnë qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë dashur të flasin lidhur me qasjen e tyre që do të kenë lidhur me reformën në administratë.
Ndërsa, shoqëria civile thotë se ka munguar vullneti politik për ta bërë reformën në administratën publike. Visar Rushiti nga organizata Demokraci Plus, thotë për FaktePlus se nuk kanë munguar iniciativat, e as baza ligjore, porse vullneti politik.
“Në kuptimin e ligjeve, kornizës ligjore nuk ka pasur asnjëherë problem, kjo rrugë është e hapur. Në kuptimin e ekspertizës as ky nuk ka qenë problem, në kuptimin e marrjes së iniciativave nuk ka qenë problem. Problemi i vetëm është vullneti politik. Administrata Publike, reforma në Administratën Publike nuk është marrë seriozisht gati asnjëherë deri tash, në përjashtim të disa iniciativave në reformën apo në racionalizimin e agjencive në mandatin e fundit dhe reformimin e inspektimeve”, tha Rushiti.
Rashiti ka treguar edhe proceset që do të duhej t’i shtynte përpara Qeveria e ardhshme për ta reformuar administratën.
“Qeveria e re do të duhej që të shtyjë përpara këtë çështjen e racionalizimit të administratës publike në tërësi dhe me një fokus të këtyre agjencive të dy tipologjive, agjencive që janë në kuadër të Qeverisë dhe agjencive që janë në kuadër të Kuvendit. Sa i përket çështjes së strukturës është me rëndësi çështja e organizimit apo riorganizimit të Ministrive si të vijmë nga 21 në 12 ashtu siç kanë premtuar partitë politike që nuk është e pamundur, është pak e vështirë por jo e pamundur”, theksoi ai.
Kujtojmë se institucionet e Kosovës, në vazhdimësi janë kritikuar nga organizatat ndërkombëtare për mbingarkesë me numrin e punonjësve në administratën publike.
Numri i të punësuarve në administratën shtetërore sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sillet diku mbi 80 mijë, kurse paga mesatare ka arritur në mbi 450 euro./FaktePlus