Realizohen pagesat për mbi 15 mijë familje që s’kanë të punësuar asnjë anëtar
Ministria e Financave ka realizuar pagesat për 15 mijë e 317 familje që s’kanë të punësuar asnjë anëtar. Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për pagesë në total afro 2 milionë euro.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se sot (dt. 29.06.2020) Ministria e Financave ka realizuar pagesat për masën 15 në shumë prej 1,991,210.00 euro për 15,317 familje përfituese të cilët nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, mjetet mund të tërhiqen që nga nesër.
Tutje ka bërë apel të shmangen grumbullimet nëpër sportele.
“Me këtë rast, lusim përfituesit që të kenë kujdes të shtuar, të shmangin radhët apo grumbullimin para sporteleve, në pajtim me udhëzimet nga institucionet shëndetësore”, ka shkruar ajo, përcjell FaktePlus.