Reagon trajneri i Barcelonës pas lajmeve se do të shkarkohet
Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, këmbëngul se nuk është duke iu rrezikuar puna në Camp Nou, pas thashethemeve se do të shkarkohet në fund të sezonit për shkak të rezultateve të dobët.
Barcelona u ndal me barazim 2:2 nga Atletico Madridi të martën mbrëma në Camp Nou, i cili ishte i treti në katër ndeshjet e fundit dhe i dyti radhazi.
Lëshimi i njëpasnjëshëm i pikëve i ka dhënë përparësi të madhe rivalit Real Madrid në garë për titull, i cili ka një pikë më shumë në krye të La Ligës plus një lojë më shumë në dispozicion.
Por përkundër kësaj, Setien nuk ndien se po i kërcënohet e ardhmja në Camp Nou.
“Nuk ndihem i kërcënuar aspak”, tha Setien pas ndeshjes më Atleticon.
“Por ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. U përpoqëm t’i bënim disa gjëra ndryshe. Menduam se do të përfitonim”, shtoi ai.
”Atletico u mbrojt shumë mirë. Nuk është e lehtë ndaj tyre. Unë jam i lumtur me punën e lojtarëve të mi”, përfundoi ai.