Reagon Ministria e Shëndetësisë pas helmimi masiv në Fier
Pasi dhjetëra nxënës të shkollës së mesme “Janaq Kilica” në Fier u paraqiten me shenja helmimi në urgjencën e spitalit, vjen një reagim nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas ministrisë, në spital ishin paraqitur 50 nxënës, me shenja intoksikacioni, ndërkohë që aktualisht 42 prej tyre qëndrojnë ende në spital. Po ashtu bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e nxënësve paraqitet e stabilizuar.
REAGIMI I MINISTRISE
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po ndjek me vëmendje situatën shëndetësore në Fier, ku një grup nxënësit të shkollës së mesme “Janaq Kilica” janë paraqitur me shenja intoksikacioni në spitalin rajonal të Fierit.
Spitali Rajonal Fier bën me dije se 42 nxënës po marrin trajtim në këtë spital dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar.
8 prej tyre kanë lënë spitalin pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa pjesa tjetër po monitorohet në vazhdimësi, por mjekët konfirmojnë se, nuk ka asnjë prej tyre në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor menjëherë sapo është njoftuar për këtë ngjarje në gjimnazin “Janaq Kilica”, në qytetin e Fierit ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe marrjen e masave të menjëhershme.
Aktualisht, nuk ka të dhëna për ndotje të ajrit në bazë të mostrave të marra nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Fier. Kjo analizë do të kryhet nesër në orën 07.30 për të vendosur hapjen e shkollës dhe vazhdimin normal të procesit mësimor.