Reagon ministri Veliu: Policia do të hetojë të gjitha rrethanat që quan në vrasjen në Gjilan
Ndaj rastit tragjik që ndodhi sot në Gjilan, ku dyshohet se një pjesëtare e Policisë së Kosovës ka vrarë prindërit dhe dy vëllezërit e saj dhe vetëvveten, ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.
Veliu është shprehur thellësisht i prekur nga ngjarja tragjike në Gjilan, ku për pasojë gjetën vdekjen pesë anëtarët e familjes Bllaca nga qyteti i Gjilanit.
“Në këto momente tragjike Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), është pranë familjeve të viktimave të cilët humbën jetën, me bindjen e thellë që me të gjitha mekanizmat shtetërore të sigurisë do të zbardhin shkaqet e vrasjes”, thuhet në reagimin e ministrit Veliu.
Më tej në reagim thuhet se “MPBAP që prej momentit që ka ndodhur rasti, ka angazhuar të gjitha institucionet e Sigurisë, si Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policorë të Kosovës, në mënyrë që të shikohen të gjitha rrethanat që quan në kryerjen e kësaj vrasje”.
“MPBAP, do të përdorë të gjitha kapacitetet e saj institucionale që raste të tilla, ku përfshihen zyrtarë policorë në akte kriminale, të mos përsëriten më.
Ministri Veliu, në emër të MPBAP-së, i shprehë ngushëllime familjes Bllaca për humbjen e më të dashurve të tyre”, thuhet në reagim./FaktePlus