Reagon këshilltari ligjor: Kushtetuesja ka paraqitur rrejshëm faktet
Edhe këshilltari ligjor i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Durim Berisha ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të ligjshëm dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.
Berisha ka shkruar në rrjetin social Facebook se sikurse presidenti edhe Kushtetuesja ka paraqitur rrejshëm faktet rreth mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017.
“Gjykata paska paraqitur rrejshëm faktet rreth mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017, ndërsa ngjashëm sikurse pretendimi i Presidentit se “shkarkimi është dorëheqje e dhunshme” e paskan barazuar dorëheqjen me shkarkim. Kërkesën për sqarime të bazës kushtetuese dhe ligjore – si refuzim”, ka shkruar ai.
Tutje Berisha sqaron se ndonëse afatet për propozimin e emrit te kandidatit për Kryeministër nuk parashihen në Kushtetutë, Kushtetuesja afatet “pas propozimit” i ka kthyer në afate “të kunsultimit”.
“Ndërsa propozimi që pas mocionit të mosbesimit të formohet një Qeveri e re nuk ishte miratuar, prandaj edhe shpërndarja e Kuvendit ishte automatike në vitet 2010 dhe 2017. E të thirresh për këto konstatime në dokumentet përgatitore të Kushtetutës dhe të drejtën e krahasuar – mund të shërbej si arsyetim vetëm për ata që nuk mbajnë mend çka ka ndodhur në 10 vitet e fundit, dhe ata që nuk kanë durim dhe përkushtim t’i lexojnë të gjitha shkresat e deponuara në Arkivin e Kosovës”, ka thënë Berisha.
E në këtë rast, Berisha përmend se juristi Uwe Wesel thekson se nganjëherë gjykatat me arsyetime të gabuara arrijnë rezultatin e saktë, por paraqitja e rrejshme e fakteve nuk nënkupton arsyetim të gabuar dhe në asnjë mënyrë nuk rezulton me konstatim të saktë./FaktePlus