Reagon këshilltari i Osmanit për videon ku kryeparlamentarja përkthen për Thaçin
Këshilltari i Vjosa Osmanit, Artan Murati, ka reaguar ndaj atyre që kryetaren e Kuvendit po e quajnë përkthyese e Presidentit Thaçi. Në mesin e tyre, edhe ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu.
“Puna e përkthyesit dhe demantimi i qartë nga arkiva e Departamentit të Shtetit ku Sekretarja Clinton e prezenton Vjosa Osmanin si Shefe të Stafit të Presidentit Sejdiu”, shkruan Murati.
Gjithashtu Murati vlerësoi lart profesionin e përkthyesit, e më pas tha se Osmani asnjëherë nuk ka punuar përkthyese e Thaçit sepse asnjëherë nuk ka punuar për të.
“E para, profesioni i përkthyesit është profesion i ndershëm, i vështirë e në raste të takimeve të nivelit të lartë, është edhe determinues që mesazhi i rëndësishëm politik i një shteti të përcillet si duhet. Pra, ata që mendojnë se e fyejnë dikë duke e quajtur përkthyes, gabohen. POR, Vjosa Osmani kurrë nuk ka punuar si përkthyese e Hashim Thacit. Kurrë. Thjeshtë, sepse kurrë nuk ka punuar për Hashim Thacin”, shkruan Murati.
Ai madje tha se të përkthejë i është kërkuar personalisht nga sekretarja e Amerikës asokohe, Hillary Clinton.
“Ne fakt, ajo ka qenë e angazhuar vetëm si Këshilltare e lartë e pastaj si Shefe e Stafit të Presidentit Sejdiu dhe në këtë cilësi (pra si shefe e stafit të Presidentit Sejdiu) ka ndihmuar në takimin e organizuar me Sekretaren Clinton, të mbajtur në Departamentin e Shtetit. Pra, jo si përkthyese e Thacit, por sepse kjo ndihmë i është kërkuar direkt nga vetë Sekretarja Clinton atë ditë për shkak të vonesës së përkthyesit të departamentit të shtetit. Sekretarja Clinton para mediave të gjithë botës e prezenton znj.Osmani si ‘Shefe e Stafit të Presidentit”. Shih si dëshmi arkivën e Departamentit të Shtetit nga data 26 shkurt 2009. I gjithë transkripti I kësaj konferencë për shtyp mund të gjindet këtu: https://2009-2017.state.gov/…/200920…/rm/2009a/02/119845.htm”, shkroi Murati.
Krejt në fund, këshilltari i Osmanit tha se vërtetë e korrigjoi Thaçin në atë konferencë, por nuk ishte hera e parë sepse Osmani vazhdimisht e ka korrigjuar presidentin Thaçi.
“Znj.Osmani vërtetë e korrigjoi Thacin në atë konferencë për shtyp. Por kjo nuk ishte hera e fundit që u desht ta korrigjonte. Këtë e ka bërë vazhdimisht, në cilindo kapacitet publik, duke u shërbyer kështu gjithnjë qytetarëve me nder e duke vënë gjithnjë interesat e Republikës para cdo interesi tjetër”, përfundoi Murati.