Reagimet politike për vendimin e KShC-së rrezikojnë përsëri Kosovën për në EQAR
Anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji të Kuvendit të Kosovës, si dhe njohës të fushës së arsimit në vend, i kanë cilësuar si ndërhyrje politike në arsim, reagimet e bëra nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritar lidhur me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mosakreditimin e disa universiteteve publike dhe disa kolegjeve private.
Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Arsim nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se reagimi i kryeministrit Ramush Haradinajt për mos akreditimin e vitit akademik të disa universiteteve, është ndërhyrje brutale në sistemin e arsimit të lartë.
Deputetja Nagavci i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se KShC është institucion i pavarur dhe se në vendimet e tij nuk do të duhej t’i fuste duart politika.
“Reagimi i kryeministrit është një ndërhyrje brutale në sistemin e arsimit të lartë kryesisht në institucionet e pavarura, ndikimet e tyre rrezikojnë seriozisht kredibilitetin e arsimit të lartë në raport me vendet e tjera të rajonit. Përjashtimi nga EQAR ka ndodh pikërisht për shkak të vendimit të kryeministrit Haradinaj për përjashtimin e anëtarëve të KShC-së kohë më parë”, ka thënë Nagavci.
Ajo tutje ka theksuar faktin se Qeveria nuk ka kompetencë të kundërshtojë vendimet e KShC-së.
Sipas saj, kryeministri Haradinaj në vend të reagimeve të pa baza, do të duhej të kujdesej më shumë për infrastrukturën dhe buxhetin e arsimit të lartë në Kosovë.
Nagavci shton se edhe vendimi i KShC-së do të duhej të ishte profesional, pasi që ky organ është afër vendimit nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR), e cila përjashtoi vitin e kaluar Këshillin për Akreditim të Kosovës.
“Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë do të duhej të ishte i bazuar në raportet e ekspertëve dhe këta nuk i besojnë vlerësimet e institucioneve të arsimit të lartë, por të ekspertëve të jashtëm. KShC do të duhej të kryente mirë punën profesionale dhe të mos jetë me ndikime politike të cilat e rrezikojnë edhe më shumë stabilitetin arsimor në vend ku e dimë se në shtator do të merret vendimi nga EQAR”, është shprehur Nagavci.
Kurse njohësi i fushës së arsimit nga EdGuard Institute, Rinor Qehaja, ka thënë për FaktePlus se vendimi i KShC-së paraqet vlerësimin e ekspertëve ndërkombëtar.
Sipas tij, vendimi për mosakreditim të disa universiteteve publike dhe disa kolegjeve private, ka të bëjë me dështimin e menaxhementit të këtyre institucioneve.
Edhe Qehaja ka pohuar se ndërhyrja e Qeverisë në punët e KShC-së do të paraqiste probleme serioze.
“Mosakreditimi i tyre është dështim i menaxhmentit të universiteteve, andaj përgjegjësia duhet të kërkohet tek menaxhmentit i institucioneve dhe jo në AKA. Rikujtoj që anëtarët e KShC-së janë emëruar nga vetë ministri dhe kanë pavarësi të garantuar në punën e tyre. Në asnjë moment Qeveria nuk guxon të ushtrojë presion në AKA, aq më pak në një situatë kur AKA është në proces të rivlerësimit për anëtarësim në EQAR, ku arsye e përjashtimit ishte pikërisht një situatë si kjo para disa vitesh”, ka thënë Rinor Qehaja.
Kujtojmë se dje Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka vendosur në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020 disa universiteteve dhe disa kolegjeve private.
Pas vendimit të djeshëm të KShC-së, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas reagimeve të djeshme, sërish është marrë të martën me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e disa universiteteve publike dhe private.
Këtë herë, kreu i ekzekutivit ka qenë më i ashpër në reagimin e tij ndaj vendimit të KShC-së, duke i quajtur mafi.
“Kjo o gabim, edhe në këtë Kosovë nuk punohet kështu. Kanë me na kritiku, ama po e shohim çfarë mafie janë. Po vërejtjet për cilësi ama nuk mundemi me i lon fëmijët jashtë”, është shprehur Haradinaj në një konferencë për medie.
Një reagim të tillë e ka pasur edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.
Ai vendimin e KShC-së, s’e ka pranuar, duke theksuar se çështja shkon në Qeveri për shkak të shkeljeve.
Ndryshe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është përjashtuar në muajin mars të vitit të kaluar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) pikërisht për shkak të vendimit të kryeministrit Ramush Haradinajt për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendim i cili ishte konsideruar si ndërhyrje politike./FaktePlus