Reagime të shumta lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan
Liderë nga vendi e rajoni, por edhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian e ShBA, reaguan lidhur me vrasjen e trefishtë në Deçan.
Me kallashnikov dyshohet se një person i maskuar gjuajti drejt këtij autobusi. E si pasojë e kësaj, të vdekur mbeten dy nxënës dhe shoferi që po barte ata.
Kështu kjo ngjarje që ndodhi në Gllogjan të Deçanit, tronditi të gjithë opinionin. Edhe reagimet ishin të menjëhershme.
Ishte bashkëfshatari i dy nxënësve të vrarë. Ramush Haradinaj ai që reagoi ndër të parët, e i cili shprehu solidaritet me familjet e viktimave.
Pas tij, kryeparlamentari Glauk Konjufca i bëri thirrje organeve përkatëse që të veprojnë menjëherë për ta zbardhur rastin. Reagim pati edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i cili sulmin ndaj autobusit me nxënës e quajti goditje ndaj rendit e sigurisë.
Në reagimin e tij, edhe kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ngjarjen e mbrëmshme e quajti me shumë se krim, ndërkohë që bëri thirrje që organet e rendit dhe drejtësisë ta sjellin para ligjit e drejtësisë autorin e krimit.
Thirrje të ngjashme për organet e rendit dhe drejtësisë ka pasur edhe në reagimin e Memli Krasniqit, kryetarit të PDK’së.
Pak me vonë ka ardhur edhe reagimi nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili përveç që shprehu ngushëllimet në emër të tij dhe qeverisë, njoftoi se Policia është mobilizuar për të hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi.
Lidhur me ngjarjen reaguan edhe nga vendet e rajonit.
Nga Maqedonia e Veriut reagoi lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe liderë të tjerë të partive shqitare atje.
Ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili në reagimin e tij shprehu ngushëllimet për jetët e humbura dhe mbështetje për institucionet e vendit. Ndërsa, reagime pati edhe nga presidenti Ilir Meta dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që po ashtu shprhen solidarizimin me familjet e viktimave.
Ndërkohë ngushëllime dhe solidarizim shprehu edhe Ardita Sinani, kryetare e komunës së Preshevës.
Përveç që lajmi mori jehonë edhe në mediat e huaja, sot pati reagime edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë.
Një i tillë erdhi nga ambasada amerikane në Kosovë, ndërkaq pati reagim edhe nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Ndërkohë Policia e Kosovës bëjnë me dije se janë duke punuar vazhdimisht në kapjen e autorit apo autorëve të këtij akti.