Rasti “Toka”, Azem Syla aktakuzën ndaj tij e quan të orkestruar nga Beogradi
Politike dhe të orkestruar nga Beogradi, e ka quajtur aktakuzën ndaj tij, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla.
Kjo aktakuzë, ish-deputetin Syla e ngarkon se i ka prirë grupit të organizuar kriminal që kanë bërë dallavere me disa prona në Çagllavicë.
Bashkë me Sylën, akuzohen edhe 16 persona të tjerë, në atë që njihet si rasti “Toka”.
Në seancën e së mërkurës, në këtë rast ka filluar faza, në të cilën të akuzuarit do të deklarohen për aktakuzën e PSRK-së.
Para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi Beqir Kalludra, i pari që ka filluar të deklarohet ka qenë i akuzuari Azem Syla.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, i akuzuari Syla ka thënë se aktakuza ndaj tij nuk është e bazuar me asnjë provë dhe e tëra është mbështetur në dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues N.B, që sipas tij, ka qenë i orkestruar dhe rekrutuar nga shteti i Serbisë.
“Kjo akuzë, fillet i ka politike nga qarqe të caktuara, që doli në fund që dëshmitari N.B. ka qenë i orkestruar me disa njerëz në Beograd dhe doli që kjo aktakuzë kundër meje ka qenë krejt politike. Në raport me emrin tim ka qenë një goditje dhe lëndim shpirtëror, lëre më me gjithë këtë propagandë që është bë në këto katër vjet në bazë të pavërtetave, në bazë të dëshmitareve që janë rekrutuar jashtë vendit tim dhe kjo ka qenë lëndim që me të pavërteta dhe shpifje më kanë goditur dhe për këto nuk ndihem fajtor”, ka deklaruar Syla.
Avokati Berisha, e pyeti Sylën nëse janë të vërteta pretendimet e prokurorisë se ai ka koordinuar veprimet e të akuzuarve të tjerë të përfshirë në këtë rast dhe nëse ai ka kërkuar nga ata që të raportojnë te ai për veprimet e tyre, të cilat pretendime i ka mohuar Syla.
“I tërë rrugëtimi i jetës sime dhe përpjekja ime, ka qenë që Kosova të vijë në këtë ditë ku jemi dhe çdo formë e paligjshme, e ultë, e ndytë, kanë qenë të papranueshme dhe edhe moralisht i kam kundërshtuar dhe luftuar”, ka shtuar Syla.
Pasi avokati Berisha, ka kërkuar nga Syla që të përgjigjet nëse i njeh të bashkakuzuarit e tjerë të përfshirë në këtë aktakuzë, ish-deputeti ka thënë se përpos Shaban e Ilaz Sylës që ka lidhje gjaku me ta, por edhe Fahredin Gashin, Shpresim Ukën dhe Arton Vilën, të cilët i ka njohur përmes familjarëve të tyre, asnjë të akuzuar tjetër nuk e njeh.
Ndërsa, ka shtuar se me asnjërin nga të akuzuarit, duke përfshirë edhe ata që i ka njohur, nuk ka pasur asnjë relacion biznesi apo tregtar, e as ndonjë përfitim.
Ai ka thënë se në këtë rast prokuroria atij nuk ia ka ngrirë apo sekuestruar asnjë pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, e as para dhe se në bastisjen në shtëpinë e tij, nuk kanë gjetur asnjë provë që inkriminon atë në këtë grup të të akuzuarve.
“Ardhja e Policisë së Kosovës, bashkë me EULEX-in, për të më arrestuar atëherë, ka qenë një ardhje për të cilën është gëzuar edhe Beogradi. Me ato kamera dhe asgjë nuk kanë gjetur në shtëpinë time, për ta sekuestruar si të paligjshme, pos do kaseta dhe telefonat e fëmijëve që akoma nuk janë kthyer dhe asgjë nuk është sekuestruar”, ka thënë Syla.
Mbrojtësi i Sylës, ia ka paraqitur atij edhe një përgjim, të cilin e ka prezantuar si provë prokuroria, sipas të cilit pretendohet se më 30 mars 2010, në ora 16:06, nga një numër, të një personi të panjohur, ka pasur një komunikim në mes tij dhe të akuzuarit Fahredin Gashi, në të cilën thuhej, “A.S-Bisedojmë përsëri në telefon atëherë. F.G-Në këtë numër, A.S, Jo, jo, ky vetëm ka ardhur si mysafirë, por ju mund ta organizoni disi me nipin, është me mua gjatë gjithë kohës dhe pastaj mund të flasim. Sikur të mos ishte për një biznes të mirë, unë nuk do të kërkoja që të vish. A mendon që mund të vish e të të shoh. F.G-A mund të vij më vonë, në rregull do të vij”.
Berisha ka thënë se me këto fjalë, prokuroria ka pretenduar se dëshmon se është diskutuar për rastin e tokave dhe se dëshmon hierarkinë e Sylës në këtë grup, por Syla ka deklaruar se atij nuk i kujtohen këto fjalë, përderisa sipas tij, ai nuk ka qenë i përfshirë në këto çështje.
Berisha, ka shtuar se prokuroria ka paraqitur edhe disa përgjime, të cilat pretendohen se janë të të akuzuarve Shaban Syla, Shpresim Uka, Arton Vila, në të cilat është përmendur emri i Azem Sylës, por ai ka thënë se edhe sot mund që të tjerët të thirren në emër të tij, por që ai nuk merr përgjegjësi.
Ndërsa, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Naim Abazi, të cilat kishin të bënin vetëm me raportet e tij me të akuzuarit Shaban Syla, Shpresim Uka dhe Fahredin Gashi, ish-deputeti ka deklaruar se me ta është takuar vetëm në ndonjë takim familjar, ndërsa vozitësi i tij, Arton Vila është caktuar nga PDK-ja dhe është paguar nga ta.
Për Vilën, ai ka shtuar se me dijeninë e tij, nuk ka pasur asnjë rol tjetër përpos rolit të vozitësit.
Seanca e radhës, në të cilën do të vazhdohet me mbrojtjen e të akuzuarit Shaban Syla, do të mbahet më 31 mars, në ora 9:00.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj.
Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njejtit është vecuar procedura.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.
Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.