Rasti “Pronto”, prokurorja flet për “shefat” e “jaranat” e të akuzuarve, përmend lirimin e Mekajt dhe Beqirit
Pak ditë pasi që është konfirmuar aktakuza nga Gjykata e Apelit, ka nisur gjykimi në rastin e njohur si “Pronto”. Ish- deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish- ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të tjerët, akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.
Në seancën e së mërkurës, ka nisur fjala hyrëse e palëve në procedurë. Gjatë fjalës së prokurores speciale, Drita Hajdari, ka pasur reagime nga trupit gjykues, që disa herë ia ka tërhequr vërejtjen asaj, si dhe nga mbrojtësit e të akuzuarve, që kanë thënë se prokurorja po bënë deklarime politike.
Prokurorja Hajdari ka thënë se rasti “Pronto”, qysh nga paraqitja është bërë sinonim i punësimeve të kundërligjshme.
Me këtë fenomen, sipas saj, është ballafaquar Kosova në procesin e shtetndërtimit.
“Kanceri i papunësisë çdo ditë përhapet, çdo një e më shumë, në vendin tonë papunësia është në vend të lartë, përderisa stacionet tona të autobusëve me vite janë mbushur me punëtorë”, ka thënë ndër të tjerash prokurorja Hajdari, raporton Betimi për Drejtësi.
Por, ndaj një deklarimi të tillë ka reaguar mbrojtja e të akuzuarve, kurse kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, i ka kërkuar prokurores të vazhdojë me fjalën hyrëse.
Derisa, prokurorja Hajdari ka vazhduar me deklarimet e saj se kjo aktakuzë i trajton punësimet dhe tentativën për punësime të kundërligjshme.
“Në skenë gjithçka duket e ligjshme. Shpallen konkurse, caktohen komisionet për vlerësimin e kandidatëve, dhe gjithçka duket në rregull gjatë procedurës së konkurrimit, mirëpo në prapaskenë ndodh gjithçka tjetër. Grupi Pronto bashkëpunoj me vete për punësime të ndryshme, në disa raste ndikuan në caktimin e komisioneve”, ka thënë prokurorja.
Ajo ka thënë se këtij grupi i nevojiten njerëz të dëgjueshëm, jo të ngritur profesionalisht.
“I nevojiten ata që nuk do të marrin asnjë vendim, veç ka me ushtru detyrën, gjatë procedurës së punësimeve çdo gjë duket e ligjshme dhe pastaj personi i caktuar caktohet në pozitën e caktuar, ndërsa vendimet i merr dikush tjetër. Nuk mundemi të mos e parashtrojmë pyetje kush janë njerëzit nga hija, nga prapaskena, janë njerëz që i shohim çdo ditë në publik, njerëz të veshur me kostume të mira”, ka thënë tutje ajo.
Ndaj një deklarimi të tillë, sërish ka reaguar mbrojtja, derisa trupi gjykues ia ka tërhequr vërejtjen prokurës, që të vazhdojë me fjalën hyrëse.
Por, prokurorja ka vazhduar duke folur për persona të nivelit të lartë shtetëror, që sipas saj, kanë ndikuar në krijimin e një mentaliteti të shëmtuar që ata të ndëshkohen, dhe që së fundi faji t’i hidhet prokurorisë që nuk ka ofruar prova të mjaftueshme.
Ajo ka thënë se nuk qëndron fakti se prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj personave të caktuar, duke përmendur rastin e Salih Mekajt dhe Emin Beqirit, të cilët gjykata e shkallës së parë dhe e dytë i kishte liruar nga akuza, mirëpo më pas Gjykata Supreme kishte konkluduar se dy instancat e para gjyqësore, kanë vepruar në favor të të pandehurit, kur kanë liruar Mekajn dhe Beqirin.
“Në qoftë se vazhdoni në këtë formë në e dimë të gjithë se çka është fjala hyrëse dhe çka duhet të prezantojë prokurori, kurgjo lidhje s’kanë ato raste më këtë dhe nuk mundesh me i thanë ato”, ka thënë gjykatësi Hoti, duke kërkuar nga prokurorja që ajo të jep fjalën hyrëse lidhur me aktakuzën.
Por, prokurorja Hajdari ka vazhduar të flas për atë se bëhet fjalë për persona zyrtarë, që sipas saj, janë ata nga të cilët pritet ushtrimi funksioneve sipas ligjit. “Janë persona zyrtarë, disa prej tyre ishin ministra, zv.ministra, deputet, drejtor të bordeve, zyrtarë të lartë komunalë, janë ata që në një shtet ku sundon ligji, duhet të shërbejnë si model për qytetarin e rëndomtë”, ka thënë tutje prokurorja Hajdari.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, ka deklaruar se prapaskenat e rastit “Pronto”, janë zbuluar gjatë hetimeve të EULEX-it, në rastin e njohur si MTPT, me ç’rast kishte nisur përgjimi i komunikimeve të ish-zëvendësministrit të atëhershëm të MTPT-së, Adem Grabovci.
Ajo ka thënë se më pas hetimet kanë kulmuar me ngritjen e kësaj aktakuze.
“Kemi trajtuar veprime dhe motive konkrete, e jo edhe ato premtime të shumta ndaj qytetarëve të ndryshëm që i drejtoheshin Ademit me lutje që tu ndihmojë për punësimin e familjarëve, duke e ditur që për punësim është influenca politike. Në këtë aktakuzë janë përfshirë vetëm persona zyrtarë që ekzistojë prova që janë të përfshirë në veprime penale”, ka deklaruar prokurorja Hajdari.
Ajo ka thënë se në mungesë të provave në aktakuzë nuk janë përfshirë të tjerët, të cilët së bashku me 11 të akuzuarit takoheshin, por që në këto komunikime nuk përmenden emrat e tyre.
“Nuk i përmendin emrat e tyre, por i përmend, si shef, i madhi, ai, e lam takimin me ta, u takova me jaranin tem, fola me ato që ke nejt ti pramë”, ka thënë prokurorja.
Ajo ka thënë se përveç provave të siguruar pemës përgjigmit, prokuroria ka siguruar edhe prova të tjera mateiale dhe sipas vlerësimit, ajo ka deklaruar se paraqesin bazë ligjore për t’i shpallur fajtorë të akuzuarit.
“Aktakuzën e kemi bazuar në prova materiale, pasi nuk kemi propozuar dëshmitarë. Provat materiale flasin më shumë se çdo dëshmitar. Janë prova në bazë të dokumentit të hartuara nga institucione të ndryshme në Kosovë. Prokurori i rastit do të insistojë se çdo provë e propozuar të administrohet nga gjykata, e jo të konsiderohen të lexuara. Do të kërkoj që audio incizime e bisedave të të akuzuarve të vendosura si CD të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor. Shumica e të pandehurve në fazën hetimore janë mbrojtur në heshtje. Ademi është mbrojtur në heshtje në fazën hetimore, disa prej tyre deklaruan se nuk i mbajnë mend bisedat me Ademin. I kanë mohuar veprimet kundërligjore, ndërsa disa prej tyre mohuan çdo përfshirje në këtë rast. Shqyrtimi gjyqësor është mundësi që të akuzuarit kanë mundësi që të japin shpjegim për këtë përgjime”, ka thënë prokurorja.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.
Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.
Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.