Rasti “Pronto”: Apeli së shpejti vendos për ankesën e Prokurorisë Speciale
Katër muaj pas aktgjykimit lirues në rastin e njohur si “Pronto”, Gjykata e Apelit ka pranuar këtë lëndë për shqyrtim.
Derisa kjo lëndë pret një opinion ligjor nga Prokuroria e Apelit, zyrtarë të Gjykatës së Apelit thonë se ajo do të trajtohet me prioritet.
Megjithatë, Arbër Jashari nga Gjykata e Apelit thotë se pengesë për këtë rast mund të jetë nëse vendoset që të caktohet një seancë e kolegjiumit, sepse sipas tij që nga marrja e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në këtë gjykatë nuk ka pasur seanca të tilla.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, në një përgjigje me shkrim për KOHËN ka thënë se ajo më 12 mars ka dorëzuar kundërshtimet e saj në aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka kërkuar nga Apeli që të akuzuarit të shpallen fajtorë ose lënda të kthehet në rigjykim.
“Sa i përket propozimit për rigjykim, në veçanti kam cekur faktin se gjykata e shkallës së parë fare nuk e ka bërë analizën e as vlerësimin e provave materiale dhe përgjimeve telefonike mbi të cilat është ndërtuar aktakuza e Prokurorisë, por i ka vlerësuar rrethanat të cilat i shkojnë në favor të akuzuarve”, ka thënë Drita Hajdari, prokurore.
Por, Florent Latifaj, avokat i njërit nga të akuzuarit kryesor në këtë rast, Adem Grabovci, ka thënë se i janë përgjigjur ankesës së prokurores duke kërkuar që ta refuzojë atë si të pabazuar ngase, sipas Latifajt, ankesën e saj, prokurorja e mbështet në çështje krejt procedurale e të cilat nuk janë shkelje që mund të çonin në prishje të aktgjykimit.
“Pas pranimit të ankesës nga ana e Prokurorisë Speciale, në afatin ligjor kam paraqitur përgjigjën time në ankesën e Prokurorisë. Kam kërkuar nga Gjykata e Apelit Departamenti Special, që ankesën e prokurorisë ta refuzojë si të pabazuar, ngase e njëjta ankesën e mbështet në çështje krejt procedurale, të cilat në asnjë moment nuk paraqesin shkelje të natyrës së tillë te cilat do të qonin ne prishjen e aktgjykimit. Aktgjykimi i shkallës së parë ka paraqitur në mënyrë të plotë dhe të saktë të gjitha faktet dhe provat në të cilat e ka mbështetur vendimin e saj, si dhe ka dhënë arsyeje të mjaftueshme se pse ka refuzuar çdo pikë te aktakuzës. Andaj, duke u bazuar në të lartpërmendurat kam kërkuar që aktgjykimi të vërtetohet”, ka thënë avokati i Adem Grabovcit, Florent Latifaj.
Në janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë i liroi si të pafajshëm 11 të akuzuarit në rastin “Pronto”.
Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj e 8 të tjerë u liruan nga akuzat për “Shkelje e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Ndonëse në janar të këtij viti ishte shpallur aktgjykimi lirues, trupit gjykues të udhëhequr nga Shashivar Hoti i ishin dashur dy muaj kohë që ta përpilonte këtë aktgjykim.