Rashiq: Vuçiqi s’mund të thotë asnjë fjali pa gënjyer e manipuluar
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq ka folur për sulmet e së dielës ndaj policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit
Rashiq në TV Nova theksoi se nata në Banjskë ka kaluar e qetë.
“Askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë më pas. Dje ka pasur një lloj formacioni paraushtarak që veproi në një mënyrë që, së pari, për mendimin tim është absolutisht jonormale. Është e sigurt që hetimet për autorët do të vazhdojnë, ju e dini që ishin rreth tridhjetë të tillë, gjë që më tej çon në faktin se do të ketë tension dhe se qytetarët do të jenë nën presionin jo vetëm afër Banjskës por edhe në të gjitha vendet e tjera ku jetojnë serbët”, tha Rashiq.
Rashiq theksoi se e ka ndjekur dje konferencën për shtyp të presidentit Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Vuçiqi nuk mund të thotë asnjë fjali pa thënë gënjeshtra, insinuata dhe manipulime.
“E pashë për herë të parë dhe u konfirmua edhe një herë që presidenti Vuçiq nuk mund të thotë asnjë fjali të zgjatur pa thënë gënjeshtra të rënda, insinuata dhe manipulime. Nuk ka thënë asgjë, e shihni vetë se çfarë do të thotë, fajëson serbët e Kosovës, distancohet prej tyre. Gjithashtu, ajo që besohet se është informacion i pakonfirmuar dhe e marr me pak kripë, besohet se prej disa muajsh ka një kamp që shërben për të rekrutuar ata të rinj, le ta quajmë, kampe ilegale afër Rashkës. Besohet se janë paguar për këtë, nuk e di kush e ka organizuar, por jam i sigurt se nëse ka një gjë të tillë, jam i sigurt se autoritetet e rendit në Serbi do ta dinin. Ndoshta nuk mund të organizoheni, sepse thuhet se në ato rekrutime, në ato trajnime të policisë ushtarake kanë qenë 300 veta, pa e ditur strukturat e sigurisë në Serbi”, tha Rashiq dhe shtoi se nëse Vuçiq dinte gjithçka, si të mos dinte për ngjarjet në fshatin Banjskë.
Në Kosovë është shpallur ditë zie, vendimi është marrë nga presidentja Vjosa Osmani në shenjë respekti për policin e vrarë në afërsi të Banjskës. Presidentja e Kosovës, në përputhje me kushtetutën, ka vendosur që e hëna e 25 shtatorit të shpallet ditë zie kombëtare për nder të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të Kosovës, njoftoi Presidenca e Kosovës.