Raportimi se kompania GEN kishte marrë 4.2 milionë euro nga Kosova gjatë krizës energjetike, reagon KEK’u
Korporata Energjetike e Kosovës ka reaguar mbrëmë pas mesnatës, pas raportimeve se Kompania GEN me zyrë Beograd, të cilës i plasi një skandal në Slloveni, ku dyshohet se përfshihet edhe ambasadori kosovar, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit gjatë krizës energjetike të muajve të dimrit, raporton Express.
Nga KEK s’e kanë përmendur raportimin fare, por vetëm kanë dërguar një sqarim për importin dhe eksportin e energjisë.
Sipas tyre, eksporti bëhet vetëm kur paraqiten tepricat dhe zakonisht gjatë natës.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftonë opinionin se tregtimi i energjisë elektrike (eksporti) nga KEK-u bëhet kryesisht kur paraqiten tepricat pasi të përmbushen nevojat e konsumit vendor. Tepricat zakonisht shfaqen (natën) në intervalin kohor nga ora 01:00 deri në orën 07:00 eventualisht deri 09:00 (rrallë herë).
Bazuar në procedurat e brendshme, KEK fillimisht deklaron prodhimin e energjisë elektrike për konsum vendor, pra për nevojat e konsumit të Shërbimit Universal si dhe mbulimin e humbjeve. Si rrjedhojë, në rastet kur shfaqen tepricat, fillimishtë i ofrohen KESH-it (shkembim) dhe pjesa e mbetur e energjise (nëse mbetet), atëherë plasohet në treg përmes tregëtareve të licencuar nga ZRRE-ja”, thuhet në sqarim.
Tutje, nga KEK thonë se duhet të merret parasysh faktin se në rastin kur rritet kërkesa për energji elektrike gjithashtu rritet edhe çmimi i energjisë elektrike dhe e kundërta ndodhë me eksportin, pra kur rritet oferta për energji elektrike çmimet janë më të ulëta.
“Ndërsa sa i përketë tregtimit të energjisë elektrike (si eksportit po ashtu edhe importit), çmimin kryesisht e përcaktojnë kërkesa dhe oferta. Prandaj duhet të kemi parasysh faktin se në rastin kur rritet kërkesa për energji elektrike gjithashtu rritet edhe çmimi i energjisë elektrike dhe e kundërta ndodhë me eksportin, pra kur rritet oferta për energji elektrike çmimet janë më të ulëta.
Lidhur me këtë ju bëjmë me dije se çmimi i importit të energjisë elektrike zakonishtë është më i lartë në raport me çmimin e eksportit të energjisë elektrike, kjo për faktin se nevoja për import të energjisë elektrike shfaqet në kohën e pikut apo në kohën e konsumit maksimal (ditën), pra kohën kur ka mungesë të energjisë elektrike vendore por edhe në vendet e rajonit e më gjerë. Ndërsa eksporti i energjisë elektrike nga KEK-u zakonisht realizohet në kohën kur ka teprica të energjisë elektrike dhe ajo zakonishtë bëhet natën. Vlenë të theksohet se gjatë kohës së natës përveç se shfaqen teprica të energjisë elektrike vendore, gjithashtu shfaqen tepricat edhe tek vendet e rajonit dhe më gjërë”, thuhet tutje në sqarim.
Sipas Infokus, Korporata Energjetike e Kosovës, sipas raporteve të shkëmbimit të energjisë elektrike që ka siguruar gazeta, ka blerë energji elektrike në vlerë prej 4.2 milionë euro vetëm në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, kurse ka shitur energji elektrike tek kjo kompani rreth 105 mijë euro.
Kjo kompani për të cilën u raportua se ambasadori Martin Berisha është këshilltar i tyre dhe u ngritën dyshime nga mediat për transaksione të dyshimta në vlerë mbi gjysmë milioni euro, në fakt sipas dokumenteve të siguruara nga Infokusi në vazhdimësi ka bërë tregtim të energjisë me KEK-un.
Edhe në muajt kur Kosova ishte në kolaps energjetik, KEK-u del se i ka shitur energji elektrike kësaj kompanie, por me çmimin dyfish me të vogël nga çmimi sa kishte paguar për blerje.
Ky shkëmbim tregtar është bërë me paratë e buxhetit të shtetit, para këto të cilat kryeministri Albin Kurti, i kishte ndarë për blerje të energjisë elektrike për ta tejkaluar krizën qe kishte kapluar Kosovën.
KEK-u vetëm në këtë periudhë, për dy muaj kishte blerë energji elektrike nga kjo kompani e më pas kishte autorizuar kompaninë KEDS / KESCO. Por shitjen e energjisë me çmime aspak të volitshme e ka vazhduar edhe pas kësaj periudhe, e për të cilën gazeta shkruan se do të publikojë fakte ditëve në vazhdim.
Derisa KEK-u në janar 2022, i ka shitur energji elektrike kompanisë GEN me çmime prej vetëm 105 euro për megavat, në të njëjtën përudhë ka blerë energji elektrike nga kompania me seli në Beograd me një çmim prej 255 euro për një megavat.
Në dokumentet qe ka siguruar gazeta, blerja e energjisë është bërë nga dy kompani të GEN të cilat e kanë njëra zyrën në Beograd e tjetra në Shkup. Por sasia me e madhe është blerë nga Beogradi.
Nga kjo kompani, në Janar të këtij viti është importuar energji elektrike në vlerë prej mbi 2.3 milionë euro. Kurse në dhjetor 2021 ka importuar energji elektrike në vlerë prej mbi 1.9 milionë euro.
Në total importi i KEK-ut nga të gjitha kompanitë për dhjetor 2021 dhe janar 2022 kalojnë shifrën prej mbi 15.1 milionë euro.
Skandali ku përfshihet ambasadori Berishaj u publikua të enjten në mediat sllovene, ku u ngritën dyshime se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Berishaj.