Raporti i autopsisë nuk ka arritur ta vërtetojë identitetin e të vrarit në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë ende nuk ka arritur të vërtetojë identitetin e personit i cili u gjet i djegur në veturë, në fshatin Llabjan të Pejës.
Pasi dështuan mostrat e marra të ADN-së, kjo prokurori ka lëshuar urdhëresë që përsëri të merren disa mostra të ADN-së së familjarëve të Kelmendit për t’i krahasuar me ato të viktimës, raporton KTV.
Por, zyrtarë të Prokurorisë thonë se ata tashmë kanë vërtetuar se vetura në të cilën është gjetur viktima i përket ish-luftëtarit të UÇK-së, Qerim Kelmendi.
Shkodran Nikçi nga Prokuroria Themelore në Pejë, ka konfirmuar se kjo prokurori ka intervistuar një të afërm të Kelmendit lidhur me një vrasje të pasluftës në cilësinë e dëshmitarit.
Për këtë është pyetur edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë nëse Qerim Kelmendi ishte intervistuar nga ta, por nuk janë dhënë detaje.
Megjithatë, në një përgjigje të shkurtër thuhet se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e komenton hetimin, duke nënkuptuar se mund të jetë objekt i ndonjë të tilli.
Ish-ushtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi nga Peja, u gjet i vrarë në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Trupi i tij u gjet në një veturë që po digjej, jo fort larg shtëpisë së tij, në fshatin Llabjan.
Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, ai fillimisht ishte qëlluar me armë zjarri dhe më pas i ishte vënë zjarri veturës./FaktePlus