Raportet mes Kosovës dhe Kinës, çka shesim e çka blejmë
Republika e Kosovës dhe ajo e Kinës janë larg mes vete me mijë kilometra. Por, këto dy shtete po del se janë goxha të afërta mes vete kur është në pyetje biznesi. Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Kinës kapin shifra qindra milionëshe. E blerjet dhe shitjet janë nga më të ndryshmet, deri edhe tek qimet artificiale.
Në Doganën e Kosovës kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se gjatë vitit të kaluar në Kosovë kanë hyrë mallra të ardhur nga Kina në vlerë prej rreth 310 milionë euro.
Por, edhe Kosova ka bërë pak eksport në Kinë. Sipas Doganës, shteti ynë në Kinë ka dërguar mallra në vlerë vetëm prej rreth 1 milion e 500 mijë eurove.
“Saktësisht 1 milion e 401 mijë euro është vlera e eksportit të Kosovës drejt Kinës. Kurse, importi i Kosovës nga Kina është mbi 309 milionë euro”, ka thënë zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.
Edhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), shteti i Kinës vazhdon të jetë vendi prej nga Kosova importon më së shumti mallra.
Sipas ASK-së gjatë muajit mars të këtij viti, nga 100 milionë euro të importit, më së shumti kanë hyrë mallra në Kosovë nga Turqia dhe Kina.
“…ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100.3 milionë euro, ose 34.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (10.4%).
Çka dërgon Kosova në Kinë?
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vendi i ynë në Kinë ka dërguar mallra të ndryshme. Në mesin e këtyre mallrave, nuk ka munguar edhe ushqimi për kafshë e mjetet për punë.
“Mbetje dhe kthimet nga industritë ushqimore; tagjia e përgatitur për kafshët. xeheroret, zgjyrat dhe hiri. Artikujt prej guri, allçie, çimentoje, asbesti, mike apo materiale të ngjashme. Makineri dhe pajisje elektrike dhe pjesët e tyre; regjistruesit dhe riprodhuesit e tingullit; regjistruesit dhe riprodhuesit e imazhit televiziv she zërit, pjesët dhe plotësuesit të këtyre artikujve. Mjetet e transportit të ndryshëm nga vagonët e hekurudhës ose tramvajit, pjesët dhe plotësuesit e tyre”, janë disa nga mallrat që Kosova i ka dërguar në Kinë, thuhet në raportin e Doganës së Kosovës.
Nga Kina për në Kosovë qindra lloje të mallrave
E për dallim të Kosovës që ka dërguar në Kinë vetëm disa lloje të mallrave, Kina në vendin tonë ka eksportuar me qindra lloje të mallrave, duke nisur edhe nga gëzofët dhe qimet artificiale. Po ashtu janë eksportuar edhe tapa (kapak) dhe artikuj prej tape.
“Produktet bulmetore; vezët e zogjve, mjalti natyral, produktet e ngrënshme me origjine prej kafshëve, pe pa përfshira dhe te paspecifikuara diku tjetër. Kafe, çaj, mate dhe erëza e drithërat”, thuhet në raportin e Doganës.
Në këtë raport tregohet po ashtu se nga Kina kanë hyrë edhe ushqimet e përgatitura prej mishit, prej peshkut apo prej krustaceve.
Nuk kanë munguar as pijet, ato alkoolike e deri tek uthullat.
Gjatë një viti Kosova importon nga Kina, orë të të gjitha llojeve dhe pjesët e tyre, instrumente muzikore, pjesët dhe plotësuesit e artikujve të tillë, armët dhe municionet, pjesët dhe plotësuesit e tyre.
“Eksplozivët; produktet piroteknike; shkrepëset; lidhjet piroforike; preparatet e caktuara te djegshme. Mallrat fotografike dhe Kinematografike”, janë disa nga mallrat që janë blerë në Kinë.
Po ashtu, importohen edhe mobilieritë, si krevatet, dyshekët, mbajtëset e dyshekëve, jastëkët dhe shtresa të ngjashme të mbushura, llampat dhe pajisje ndriçimi, jo të përfshira apo të specifikuara diku tjetër, shenjat ndriçuese, pllakat e emrit ndriçuese dhe të ngjashmet.
Nga Kina importohen edhe lodrat, pajisjet e lojërave dhe ato sportive, pjesët dhe pajisjet shtesë të tyre, artikuj të ndryshëm të prodhuar, veprat e artit, copat e mbledhura nga koleksionistët dhe antikat, klasifikime te veçanta jo komerciale, e shumë produkte tjera.
Në Kosovë importohen nga Kina edhe shumë pjesë për anije, armë e çka jo tjetër. Nga Kina importohen mjetet e transportit të ndryshëm nga vagonët e hekurudhës ose tramvajit, pjesët dhe plotësuesit e tyre, avionët, anijet e hapësirës, dhe pjesët e tyre, anijet, varkat dhe strukturat lundruese, instrumentet dhe aparatet optike, fotografike, kinematografike, matëse, kontrolli, saktësie, mjekësore ose kirurgjikale dhe pjesët dhe plotësuesit e tyre.
Po ashtu nuk mungon as importi i produkteve nga giza dhe çeliku. Nga Kina vijnë artikuj prej gizës dhe çelikut, bakri dhe artikuj prej bakri, nikeli dhe artikujt prej tij, alumini dhe artikujt prej tij, plumbi dhe artikujt prej tij, zinku dhe artikujt prej tij, kallaji dhe artikujt prej tij, metale të tjera bazë; metaloqeramikat; produktet prej tyre, veglat e punës, pajisjet e punës, takemet e ngrënies, lugët dhe pirunët, prej metali bazë; pjesët e tyre prej metali bazë, artikuj të ndryshëm me metale bazë, reaktorët nuklearë, boilerat, makineri dhe pajisjet mekanike, pjesët e tyre, makineri dhe pajisje elektrike dhe pjesët e tyre, regjistruesit dhe riprodhuesit e tingullit, regjistruesit dhe riprodhuesit e imazhit televiziv dhe zërit, pjesët dhe plotësuesit të këtyre artikujve./FaktePlus