Ramiz Lladrovcin nuk e kënaqin 100 mijë euro, kërkon më shumë
Kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Drenasit. Ai ka bërë të ditur se për performancën në mjedis, komuna me të cilin ai udhëheq sot ka fituar 100 mijë euro grantë.
Megjithatë, ai pati një ankesë.
“Komuna e Drenasit, përfitoi grant nga vlerësimi për kujdesin ndaj ambientit, nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, 100 mijë euro. Komuna e Drenasit, sipas vlerësimeve të kësaj Ministrie, u rangua e 5-ta, dhe granti i planifikuar nuk u dha për 5 komuna por për 10, duke ulur sasinë e grantit më shumë se dyfish”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Sipas tij institucionet qendrore të vendit duhet të respektojnë vendimet e veta dhe me rastin e vlerësimit, të ruajnë objektivitetin me vlerësim real, pavarësisht raporteve individuale.
“Së bashku, me zyrtarët lokalë dhe qendrorë, qytetarët e komunës tonë kanë kontribuar për performancën e përgjithshme dhe mendoj se duhet të shpërblehen sipas meritës dhe parametrave të deklaruar. Shpresoj që në të ardhmen, komuna e Drenasit, do të vlerësohet sipas meritës, përkushtimit dhe performancës së matshme nga niveli qendror, për hir edhe të obligimeve dhe detyrimeve tona të ndërsjella. Qytetarë të Drenasit, e di, ju meritoni më të mirën në Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Lladrovci./FaktePlus/