Ramiz Lladrovci respekton vendimin e Qeverisë: Të hënën punohet
Qeveria ka vendosur që pavarësisht festës së 28 nëntorit, të hënën do punohet, vendim ky që u kundërshtua nga disa komuna.
Lladrovci thotë se duhet unitet në zbatimin e vendimeve.
Ai thotë se dilemat për ditën e së hënës janë për keqardhje, kur dihet vendimi i Qeverisë.
Ky është postimi i tij i plotë:
Qytetarë të komunës së Drenasit,
E hëna është ditë pune, në pajtim me vendimin e Qeverisë.
Ky muaj ishte tepër i rëndë, për tërë vendin, edhe për qytetarët e komunës tonë. Andaj, më shumë se çdo herë, na duhet unitet në vendime dhe zbatimin e tyre.
Departamenti i Arsimit, drejtorët e shkollave, personeli arsimor dhe të gjithë zyrtarët e këtij procesi, do t’i përmbahen vendimit të Qeverisë se e hëna është ditë pune, ashtu si për administratën e komunës tonë, duke respektuar masat e parapara për pengimin dhe luftimin e virusit Covid 19.
Dilemat e hapura për të hënën, janë për keqardhje, kur dihet vendimi i Qeverisë. Vendimi do respektuar, pavarësisht bindjeve politike.
Nuk është kohë as gjendje për të krijuar precedent në Republikën e Kosovës, thjeshtë, na duhet unitet, për gjithçka!