Ramiz Lladrovci kundër Qeverisë Kurti: Nesër nuk hapen çerdhet
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka njoftuar prindërit, se rihapja e çerdheve nuk do të ndodhë nesër.
Lladrovci ka thënë se nuk janë njoftuar ende nga organet e Qeverisë se si do të jenë rregullat e reja të rihapjes së çerdheve.
Reagimi i plotë:
Çerdhet në Drenas nuk hapen deri në një njoftim tjetër
Sot, Qeveria në detyrë përmes një konference për media, tha se çerdhet do të rihapen nga data 1 qershor, por me rregulla strikte.
Komuna e Drenasit, njofton të gjithë qytetarët, përkatësisht prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe deri në një njoftim tjetër!
Kjo për arsye se Komuna, në komunikimin zyrtar, ende nuk ka pranuar asnjë vendim lidhur me rihapjen e çerdheve publike dhe atyre private.
Komuna është në pritje të një vendimi ose qartësimi nga Ministria e Arsimit se si do të funksionojnë çerdhet dhe deri në marrjen zyrtare të një vendimi, çerdhet nuk do të hapen në Drenas.
Në konferencë të Qeverisë në detyrë, janë përmendur rregullat strikte për rihapjen e çerdheve, por ende ka nevojë për t’u qartësuar kjo gjendje se si do të hapen ato.
Të nderuar qytetarë/prindër, çerdhet do të rihapen këto ditë, por presim nga niveli qendror për më shumë detaje lidhur më përgatitjet.
Ju falënderojmë për mirëkuptim!