Ramiz Kelmendi tregon se a po kthehet në politikë, jep prognozë edhe për partinë fituese
Gjykata Kushtetuese me anë të një aktgjykimi ka rrëzuar Qeverinë Hoti, ku dhe zyrtarisht Kosova shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Data e zgjedhjeve nuk është shpallur ende, por partitë politike kanë filluar të mobilizohen për garën.
Tashme kanë nisë të fliten edhe emrat që mund të jenë nëpër listat për deputet.
FaktePlus ka kontaktuar ish- deputetin dhe biznesmenin, Ramiz Kelmendi për ta pyetur nëse do të rikandidojë, pasi në zgjedhjet e 6 tetorit nuk arriti ta fitojë ulësen në Kuvend.
Ai ka thënë ende nuk ka marrë ndonjë vendim se a do të hyjë në garë për deputet apo jo.
“Ende nuk kam vendosur nëse do të kandidojë, mirëpo po e pres vendimin e Kushtetueses që të shpallet në Gazetë Zyrtare.”, ka thënë Kelmendi.
E pas vendimit të Kushtetueses, partitë politike në vend filluan fushatën zgjedhore. E bashkë me fushatën filluan edhe sondazhet e prognozat se cila parti do të dalë e para.
Kelmendi ka thënë që në këto zgjedhje parlamentare parti e parë do të dalë PDK-ja.
“Këto zgjedhje parlamentare do t’i fitojë Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kelmendi për FaktePlus.
Në mandatin e kaluar, Kelmendi ka qenë deputet i LDK-së ndërsa dy mandate më herët ishte zgjedhur deputet edhe përmes AAK-së dhe PDK-së.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar Qeverinë Hoti, pasi shpalli të pavlefshme votën e deputetit nga radhët e pakicave, Etem Arifaj.
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim të Gjykatës Kushtetuese. Më tej thuhet se,”marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mban datën 21 dhjetor 2020.
Qeveria Hoti u votua më 3 qershor, pasi qeveria Kurti u rrëzua nga partneri i saj i koalicionit, LDK- ja, me mocion mosbesimi pas 51 ditësh bashkëpunimi./FaktePlus/