Rama, Zaevi e Vuçiqi mbajnë takim virtual: Ky është Ballkani i ri
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i tij nga Maqedonia e Veriut Zoran Zaev dhe presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq e nisën paraditen e së enjtes me një video-konferencë për të avancuar me projektin e “Mini-Schengenit” ballkanik.
Për takimin online, zbuloi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev, duke publikuar dy foto nga ky takim, i cili sipas tij u shërbeu përgatitjeve për Forumin Ekonomik dhe Bashkëpunimin Rajonal që do të mbahet në Shkup, më 29 korrik.
“Nëse ndërlidhemi edhe më shumë, e bëjmë jetën e qytetarëve tanë dhe të lehtë e më të mirë. Ky është Ballkani i ri në Evropë”, theksoi shefi qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Rama, Zaev dhe Vuçiq tri javë më parë zhvilluan një takim të ngjashëm online ku u pajtuan për emërtim të ri të kësaj iniciative në Forumin e 29 korrikut në Shkup.
Në takimet e para të për “Mini-Schengenin” ballkanik në disa raste morën pjesë edhe Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina, por më pas u tërhoqën.
Kosova nga fillimi ka refuzuar këtë nismë.