Burime të A2 kanë konfirmuar se kryeministri shqiptar Edi Rama, si kryetar në detyrë i OSBE-së, do të vizitojë Moskën.

Kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Moskën më 26 shkurt.

Deri tani është konfirmuar takimi me Ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov. Burime diplomatike i thanë A2 se pala shqiptare ka kërkuar që Rama të ketë takim edhe me presidentin Vladimir Putin.

Sot, Edi Rama, si kryetar i radhës i OSBE-së, ka folur për Ukrainën dhe situatën në këtë vend në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Rama tha se ka një situatë të rënduar në zonën e kontaktit dhe theksoi se që nga dhjetori ka 69 të vdekur dhe 20 mijë incidente. Kryeministri shqiptar kërkoi mundësinë e vendosjes së një misioni paqeruajtës në këtë zonë.

Shmangia e përshkallëzimit të situatës në Ukrainë është një nga prioritetet që renditi kryeministri Rama gjatë marrjes së presidencës së OSBE-së në Vjenë.