Rama sulmon Ramush Haradinajn i del në mbrojtje Kurtit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se Ramush Haradinaj me paturpësi po e sulmon Albin Kurtin.
Rama në Twitter ka shkruar se ish-Kryeministri i Kosovës po baltos njeriun që po e zhbllokon Kosovën me heqjen e taksës ndaj Serbisë.
“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit. Albini mund të jetë gjithçka por kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!”.
Reagimi i Ramës ka ardhur pasi Ramush Haradinaj akuzoi Albin Kurtin se ka bërë marrëveshje me Aleksander Vuçiqin për heqjen e taksës.
Haradinaj pati thënëse se Kurti është dorëzuar herët ndërsa ka paralajmëruar veprime edhe më të këqija nga Kryeministri i ri i Kosovës.
Gjithë këto akuza kreu i qeverisë shqiptare i ka quajtur idiotësi.
Rama shtoi se ideja se përmes taksës Serbia do ta njohë Kosovën është e parealizueshme.
“Asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës se sa ajo taksë e kthyer në një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA’s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës”, ka shtuar Rama.
Kosova vendosi taksën në fund të vitit 2019.
Që nga atëherë ka nisur presioni ndërkombëtar për heqjen e saj.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje duke mos pasur mundësi t’i bëjë ballë kërkesave të ndërkombëtarëve.
Albin Kurti ka paralajmëruar se taksa hiqet tërësisht nga 1 prilli ndërsa pjesërisht nga 15 marsi i këtij viti.
Lëvizjet e Kurtit erdhën pas kërkesave të SHBA-së.
Pavarësisht vendimit të fundit të Kurtit, zyrtari amerikan Richard Grenell tha se SHBA nuk pajtohet me heqjen e taksës me kushtet. Madje, tha se Kurti po bën gabim serioz me këto veprime.
Në anën tjetër, Hashim Thaçi, ka vazhduar të kërkojë heqjen e taksës.
Ai aktualisht ndodhet në vizitë në Amerikë.