Rama s’i ndal shkarkimet, e liron nga detyra edhe Donjeta Sahatçiun e PDK-së dhe disa drejtorë të tjerë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar për disa ndryshime të rëndësishme në kabinet.
Përmes një njoftimi në Facebook ai ndër të tjera ka njoftuar edhe për shkarkimin e nënkryetares e cila vjen nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatqiu.
Nënkryetare e re e Prishtinës është emëruar Jehona Lushaku-Sadriu.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar për disa ndryshime të rëndësishme në kabinet.
Përmes një njoftimi në Facebook ai ndër të tjera ka njoftuar edhe për shkarkimin e nënkryetares e cila vjen nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatqiu.
Nënkryetare e re e Prishtinës është emëruar Jehona Lushaku-Sadriu.
Postimi i plotë nga Përparim Rama:
Ristrukturimi i kabinetit qeverisës në Kryeqytet
Të nderuar qytetarë të Prishtinës,
Kanë kaluar dy vite prej se kemi filluar qeverisjen në Kryeqytet.
Këto dy vite kemi punuar shumë së bashku me ekipin dhe pavarësisht sfidave, kemi filluar procesin e transformimit të Prishtinës, duke nisur projekte madhore dhe duke përgatitur plot të tjera që do të fillojnë këtë vit e që kanë për synim ndryshimet pozitive në qytetin tonë. Rrjedhimisht, kam marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të Kryeqytetit.
Në funksion të përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur, z. Ilir Murseli. Kjo drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, kam marrë vendim që të bashkoj këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, z. Arbër Sadiki. Dua të falënderoj Drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik znjsh. Mimoza Sylejmani për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Znjsh. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim.
Më tutje, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga znj. Doruntina Maloku. Ndërsa, Drejtori i deritanishëm i Kadastrit, z. Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit.
Të dashur qytetarë,
Pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Shërbimeve Publike, sot, kam emëruar z. Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si Drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmerr menjëherë, të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie.
Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu.
Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit.
Dr. Jehona Lushaku – Sadriu, e kam emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit. Dr. Lushaku – Sadriu është profesoreshë e mirënjohur universitare me arritje të shumta profesionale.
Një çështje tjetër që po preokupon shumë qytetarët e Prishtinës dhe ende nuk i kemi dhënë zgjidhje, janë qentë endacak. Andaj, sot kam kërkuar nga Drejtori për Siguri dhe Emergjenca që të ndyshojë gjendjen në mënyrë substanciale deri në fund të këtij viti. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, për mua është një prej elementeve më të rëndësishme të qeverisjes.
Të dashur qytetarë,
Procesi i transformimit të Kryeqytetit kërkon punë e përkushtim të jashtëzakonshëm. Ky është një proces i gjatë në të cilin kërkohet konsistencë, vendosmëri dhe profesionalizëm. Ky është ristrukturimi i parë i qeverisjes në Kryeqytet në të mirë të Prishtinës dhe qytetarëve të saj, pa dallim.
Ju falenderoj për mbështetjen dhe kritikat tuaja konstruktive, të cilat na bëjnë të reflektojmë dhe të përmirësohemi në vazhdimësi.