Rama: Qeveria e Kosovës synoi të marrë në dorë menaxhimin e Lojërave Mesdhetare
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë Qeveria e Kosovës synoi të marr në dorë menaxhimin e Lojërave Mesdhetare.
Rama ka thënë se këtë nuk e ka pranuar Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.
“Qeveria na ka thënë që po punon në një ligj të ri për Lojërat Mesdhetare. Unë kam prit që ai ligj i ri për Lojërat Mesdhetare të mundësoj zhvillimin e shpejtë të infrastrukturës për Lojërat Mesdhetare. Ka qenë synim që të merret menaxhimi nga Qeveria, këtë nuk e ka pranu Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare”, deklaroi Rama në një konferencë për media.
Më 8 shtator, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), e votoi kandidaturën Prishtina 2030, me 55 vota pro, tetë kundër dhe tri vota të pavlefshme, gjatë një takimi në qytetin grek Heraklion.
Kosova ishte kandidatja e vetme që garoi për ta siguruar organizimin e Lojërave Mesdhetare
Shqipëria do të jetë bashkëorganizatore, pasi sporti i lundrimit do të zhvillohet në bregdetin shqiptar.
Pavarësisht se Kosova ishte kandidatja e vetme, procesi nuk ishte aspak i lehtë, marrë parasysh kundërshtimin e madh të Serbisë, delegati i së cilës kërkonte të hidhej në votim shtyrja e zgjedhjes së vendit mikpritës deri pas Lojërave Olimpike Paris 2024, propozim që sipas drejtuesve të ICMG-së ishte në kundërshtim me statutin e ICMG-së, pasi një propozim i tillë për ndryshim të rendit të ditës do të duhej të vinte muaj më parë.