Rama: Hyrja në “Fan Zone” është falas, po tentohet të më dëmtohet imazhi
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se hapësira në rrugën “Xhorxh Bush” për përcjelljen e lojërave të Kampionatit Evropian, është pa pagesë, e sipas tij, akuzat se hyrja ishte me pagesë “janë të pasakta”.
Ky reagim i Ramës vjen pasi shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se asamblisti Arianit Beqiri, u arrestua të hënën pasi “nuk pranoi të paguante hyrjen ku po shfaqen ndeshjet e futbollit”.
Rama ka thënë se po tentohet t’i dëmtohet imazhi atij dhe strukturave gjegjëse në Komunë.
“Për të mundësuar përjetimin e lojërave të Kampionatit Evropian në Kryeqytet, Komuna e Prishtinës në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi dhe në interes të qytetarëve të kryeqytetit ka dhënë miratimin që kjo të bëhet në Fan Zone në sheshin ‘Xhorxh Bush’. Konfirmojmë se hyrja në Fan Zone ka qenë falas, sipas deklaratave zyrtare të organizatorit. Akuzat për një hyrje me pagesë janë të pasakta dhe paraqesin një përpjekje për dezinformim të qëllimshëm të opinionit publik, me synimin e qartë për të dëmtuar imazhin e strukturave përgjegjëse dhe gjithë institucionin publik, përfshirë mua”, është shprehur kreu i kryeqytetit.
Ai ka ftuar “për trajtim të përgjegjshëm të informacionit”.
Policia e Kosovës ka thënë se Beqiri dhe një person tjetër janë arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe për moszbatim të urdhrave policorë.