Raketa “Gagarin” bën bashkë dy rusë e një amerikan, sot nisen në hapësirë
Dy rusë dhe një amerikan pritet të fluturojnë të premten drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës me raketën ruse “Gagarin”.
Agjencia ruse e hapësirës, Roskosmos, pret që nisjen e raketës ta realizojë nga një stacion në Baikonur të Kazakistanit. Brenda raketës do të jenë kozmonautët rusë, Oleg Novitsky e Pyotr Dubrov si dhe astronauti i NASA-s, Mark Vande Hei.
Udhëtimi për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës pritet të zgjasë tri orë, shkruan Free Europe.
Tash për tash, në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës janë vetëm shtatë persona: katër amerikanë, dy rusë dhe një japonez. Tre prej tyre, që do të ndërrohen me treshen që po shkon, do të kthehen në Tokë pas rreth një jave.
Raketa ruse është emërtuar me këtë emër në nderim të kozmonautit rus, Yuri Gagarin, i cili ka qenë njeriu u parë që ka fluturuar në hapësirë 60 vite më parë.
Këtë muaj, qeveria ruse e zgjati afatin e një marrëveshjeje bashkëpunimi për hapësirën me Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030. Marrëveshja është një ndër paktet e pakta që kanë mbetur në fuqi mes dy fuqive kryesore botërore, të cilat i kanë tensionuar marrëdhëniet në vitet e fundit.