Qytetarët në rrezik nga qentë që po defilojnë edhe sheshit të Ferizajt
Me qen të shumtë endacakë janë mbushur rrugët e qytetit të Ferizajt, madje qen në numër të madh po defilojnë edhe nëpër sheshin e këtij qyteti. Qytetarët kanë dërguar fotografi të tyre e thonë se po ndjehen të rrezikuar, sidomos kur po rastis të dalin me fëmijë të vegjël nëpër qytet.
Në shumë raste qytetarët kanë pësuar lëndime nga kafshimet e qenve endacakë që kanë ndodhur gjithandej vendit, madje ka pasur raste kur disa fëmijë edhe kanë humbur jetën si pasojë e kafshimit nga qentë.
E me një rrezik të tillë po përballen edhe qytetarët nga komuna e Ferizajt. Qytetarët e kësaj komune kanë dërguar fotografi në Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ku shihen qen të shumtë duke u shëtitur lirshëm edhe nëpër rrugët kryesore të Ferizajt.
“Qentë po shëtitin edhe në shesh të qytetit e rrugët janë të mbushura edhe më shumë. Ka rrezik të madh prej tyre, e sidomos kur po jemi më fëmijë të vegjël. Komuna duhet të bëjë diçka sa nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi”, ka thënë një qytetar për FaktePlus.
E në fotografitë e bëra sot shihen qen të shumtë duke qëndruar në qendër të qytetit të Ferizajt, respektivisht në hyrje të objektit ku më parë ka qenë e vendosur Gjykata.
Numri i madh i qenve endacakë në rrugët e qyteteve e fshatrave të Kosovës shumë herë ka paraqitur problem për qytetarët, pasi në mjaft raste ka pasur persona që kanë përfunduar të kafshuar nga qentë, e në disa raste edhe kanë humbur jetën.
Kujtojmë se gjatë këtij viti janë shënuar disa raste të kafshimit nga qen endacakë, kurse një fëmijë vetëm 8 vjeç nga Vushtrria mbeti i lënduar rëndë për shkak të kafshimit nga qentë.
E raste të tilla kanë ndodhur herë pas here gjithandej Kosovës. Madje disa vite më parë një fëmijë 7 vjeç pati vdekur nga kafshimi i qenve endacakë./FaktePlus