Qytetarët në ankth nga gurthyesit ilegalë, po rrezikohet shëndeti e shkatërrohet mjedisi
Prej vitesh gurthyes me leje e ilegalë, me veprimtarinë e tyre janë shndërruar në rrezik për jetën e banorëve. Dëmi që po shkaktohet nga makineritë e kompanive që veprojnë pa pëlqime mjedisore, krahas burimeve të tjera të ndotjes në vendin tonë, nuk është për t’u lënë anash. Zhurma gjatë nxjerrjes së zhavorrit në lumenj, por edhe minimet në kodra, tashmë janë kthyer në akth për gjithë banorët që kanë rastisur të jetojnë nëpër ato zona.
Qytetarë nga e gjithë Kosova po ankohen vazhdimisht për veprimtarinë e gurthyesve ilegalë, të cilët me zhurmën e pluhurin që e shkaktojnë, po e rrezikojnë shëndetin e popullatës.
Shpesh ka pasur ankesa nga qytetarët se nuk po munden të flenë rehat, e në jo pak raste është raportuar edhe për çarje të mureve të shtëpive nga veprimtaria e gurëthyesve, të cilët dëmtuan shtretërit e lumenjve e tokat bujqësore.
Dëmi që po shkaktohet nga makineritë e kompanive që veprojnë pa pëlqime mjedisore, krahas burimeve të tjera të ndotjes në vendin tonë, nuk është për t’u lënë anash.
E të dhënat e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale tregojnë se këtë vit janë evidentuar 47 operime ilegale në Kosovë, kurse për 200 të tjerë janë dhënë licenca aktive për shfrytëzim.
Nga ky komision kanë bërë të ditur për FaktePlus se janë dorëzuar 15 kallëzime penale në prokuroritë përkatëse për gurëthyesit që ushtrojnë veprimtari pa pëlqim mjedisor.
“Gjatë vitit 2019 janë evidentuar 47 operime ilegale. Këto ndërmarrje apo persona fizik nuk posedojnë licenca nga KPMM-ja. Në vitin 2019 (deri tash) janë dërguar 15 kallëzime penale në Prokuroritë përkatëse, kurse kallëzimet tjera në bazë të planit operativ i ka procesuar Policia e Kosovës”, ka bërë të ditur ky institucion.
Për shkak të operimeve të jashtëligjshme në sektorin minerar, KPMM-ja ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë lëshuar 35 vendime për gjoba.
Ndërkohë FaktePlus ka kërkuar të dhëna nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për operimet ilegale e masat që i ka ndërmarrë inspektorati ndaj tyre, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Se gurëthyesit kanë ndikim jashtëzakonisht negativ në mjedis e shëndet të popullatës, e thotë edhe eksperti i mjedisit, Zeqir Veselaj.
Këto pasoja, sipas tij, sidomos vërehen në vegjetacion, degradimin e tokës pyjore e ndotje të ajrit.
“Ndikimi i gurëthyesve në mjedis, qoftë ata legal apo ilegalë janë shumëdimensionale. Ndër kryesoret janë: pasojat e minimeve për çarjen e gurit në gjeologjinë e tokës dhe zhurmat nga minimet, degradimi i tokës pyjore e cila asnjëherë nuk kthehet në gjendjen e mëparshme, ndotja e ajrit nga thyerja dhe bluarja e gurëve rreth gurëthyesit (shpesh gjethet bëhen të bardha nga pluhuri), shqetësimi dhe largimi sidomos i shtazëve nga habitati i tyre natyror, dëmtimi i vegjetacionit, humbja e mbulesës së tokës nga gërryerja dhe mbetjet e gurit, dëmtimi i rrugëve nga transporti i kamionëve etj..”, ka thënë Veselaj për FaktePlus.
Kohëve të fundit ka pasur disa protesta ndaj këtyre gurëthyesve. Së fundmi ishte rasti në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku banorët me anë të protestave treguan se janë kundër punimeve të një gurëthyesi aty pasi që ai po e rrezikonte seriozisht shëndetin e tyre.
Ata dërguan edhe një peticion në Komunë për t’i kërkuar ndihmë, por komuna kishte deklaruar se s’mund të bënte asgjë pasi ajo ishte pronë private. E protesta dhe peticione të tilla ka pasur jo rrallë.
Për Veselajn, fakti që po ka protesta ndaj këtyre gurëthyesve, por rezultate jo të dëshirueshme, tregon që fuqia e bizneseve operuese po del të jetë më e madhe se ajo e qytetarëve.
“Shumë prej tyre janë afër vendbanimeve ose edhe rrugëve me plot qarkullim. Kjo edhe po i nxit protestat e shumë qytetarëve afër gurëthyesve, por që duket se fuqia e bizneseve operues për momentin është më i forte se ai i qytetarëve të thjeshtë e të ndikuar. Nga gurëthyesit janë pak njerëz që përfitojnë (biznesmenët) ndërsa janë shumë që pësojnë në shëndetin dhe ekonominë e tyre”, ka shtuar Veselaj.
Sipas tij, shumica e tyre e kanë fizibilitetin e operimit deri sa të zgjasë puna në infrastrukturën e autostradave dhe problemi më i madh qëndron se pas përfundimit të operimit, gurëthyesit po lënë gropa të mëdha të cilat ai i quan ‘pika kanceroze mbi lëkurën e gjelbër të natyrës sonë’.
Veselaj thekson se për të parandaluar përhapjen dhe dëmet nga operatorët ilegalë, duhet të zbatohet në përkipmëri procedura e marrjes së pëlqimit mjedisor, e paraprirë nga procesi i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.
Po ashtu duhet të organizohen debatet publike dhe të ketë pjesëmarrje aktive të qytetarëve në këtë proces.
E sipas ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, kompania është e obliguar që të marr pëlqim mjedisor, i cili pëlqim vjen pas një shqyrtimi profesional të ndikimeve në mjedis e që përfundon me një raport. Më pas, duhet të bëhet edhe debati me qytetarë, para se të jepet vendimi për pëlqimin mjedisor. E tëra kjo ka të bëjë vetëm me fazën e projektit./FaktePlus