Qytetarët më të kënaqur me Haradinajn e Veselin, shtohet pakënaqësia ndaj Thaçit
Ka shënuar ngritje kënaqshmëria e qytetarëve për punën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, ndërsa ka shënuar rënie të lehtë kënaqshmëria për punën e presidentit, Hashim Thaçi.
Kështu është thënë në raportin, Pulsi Publik të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ku përveç paraqitjes së të dhënave për problemet kryesore, janë dhënë edhe këto për lider e institucione.
Menaxheri i këtij projekti, Arben Qirezi tha se kënaqshmëria për punën e presidentit Hashim Thaçi nga 39.1 për qind sa ka qenë në sondazhin e muajit maj 2018, ka rënë në 38.4 për qind në nëntorin e të njëjtit vit.
Sipas tij, kënaqshmëria me punën e kryeministrit Ramush Haradinaj sa ka qenë 33.2 për qind është rritur në 35.1 për qind, si dhe kënaqshmëria për punën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli është rritur nga 31.5 në 36.3 për qind.
Ndërsa sa u përket institucioneve, Qirezi ka thënë se kënaqshmëria me punën e gjyqësorit është rritur nga 31.2 në 37.8 për qind.
Sipas të dhënave të publikuara, Dogana, KEDS-i dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit janë institucionet më të korruptuara, gjithnjë duke iu referuar sondazhit “Pulsit publik”.
Menaxheri i projektit, Arben Qirezi tha se edhe gatishmëria e qytetarëve për t’u bashkëngjitur protestave për arsye politike, ka shënuar ngritje nga 37.8 për qind në 39.5.
Ai ka shtuar se gatishmëria më e ulët për t’iu bashkëngjitur protestave ka qenë në prill të vitit 2016, ku vetëm 25.5 për qind kanë qenë të gatshëm për protesta.
Pulsi Publik XV, i lansuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), është financuar si projekt nga USAID.
Sondazhi shqyrton situatën socio-ekonomike në Kosovë duke analizuar perceptimet e çështjeve politike, ekonomike, të sigurisë dhe të zhvillimit. Përveç treguesve të zakonshëm kyç, kjo përmbledhje gjithashtu shqyrton njohuritë e kosovarëve për mjedisin dhe ndikimin e tij në shëndetin e njeriut. Anketa, e cila u zhvillua në nëntor 2018, përfshiu 1306 kosovarë mbi moshën 18- vjeçare.