Qytetarët e Bosnjës e duartrokitën pandërprerë flamurin e Kosovës
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, e ka analizuar pjesëmarrjen e Ekipit Olimpik të Kosovës në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF), që po mbahet në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore.
Kosovën e përfaqësuan skitaret Klea Vrella dhe Elba Kokaj, të cilat të mërkurën përfunduan garat. Ato garuan në sllallom dhe sllallom të madh. Derisa në sllallomin e mbajtur të hënën, Klea doli nga shtegu, ndërsa Elba u diskualifikua, në sllallom të madh të mbajtur të mërkurën, ato zunë vendet 71 dhe 72.
Bosnja e Hercegovina nuk e njeh Pavarësinë e Republikës së Kosovës, por kjo nuk ka pasur asnjë dallim sa i përket përfaqësimit të vendit tonë në Sarajevë, edhe pse federata të ndryshme të Kosovës kishin hasur në vështirësi, gjatë prezantimit të tyre të mëhershëm.
“Ne EYOF Sarajeva 2019 Kosova mori pjesë me flamur sikurse çdo shtet tjetër, madje në hapjen solemne durtrokitjet e qytetarëve të Bosnjës e Hervegovinës ishin frenetike që dëshmon respektin reciprok midis dy popujve dhe se shumica e qytetarëve nuk pajtohen me qëndrimet e politikanëve për mosnjohje të Republikës së Kosovës!”, shtoi i pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovë.
EYOF Sarajeva 2019 mbyllet nesër (e premte) mbrëma me ceremoninë mbyllëse, ku flamurin e Kosovës do ta bartë skitarja Klea Vrella.