Quni zbulon prapaskenat nga takimi me Kurtin si i dërguari i Mustafës për të mundësuar arritjen e koalicionit
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se me veprimet e fundit të kryeministrit, edhe ata që ishin përkrahës të koalicionit VV-LDK, tani kanë mbetur me duar të lidhura.
Quni ia ka dhënë edhe një mundësi Kurtit, që brenda një ore të rishikojë vendimin e tij për Veliun dhe të reflektojë për taksën, në mënyrë që mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë të tërhiqet.
Ai ka bërë publike edhe disa prapaskena gjatë kohës kur të dy palët po përpiqeshin të arrinin marrëveshje për bashkëqeverisje. Quni ka konfirmuar se përbrenda LDK-së ekzistonin dy grupe, njëri që punonte fuqishëm për arritjen e koalicionit dhe tjetri që bënte rezistencë në këtë drejtim.
Ai thotë se meqë bënte pjesë në grupin që punoi shumë që koalicioni të arrihej i ka garantuar kryeministrit Kurti se do të jetë krahu i tij i djathtë.
“U ngritën disa tema për komplote e konspiracione. Ka komplote, konspiracione por të gjitha këto një kryeministër duhet me i pasë parasysh dhe jo me ra në grackë. Pasi e patëm mbledhjen e Këshillit, në të njëjtën situatë kam mujtë me qenë edhe unë, dhe do të shkarkohesha nga detyra si ministër i Mbrojtjes. Duhet me kuptu se përbrenda një qeverie nuk mundet me u arritë një qëndrim uniform. Dhe ne duhet me kuptu që mundemi me pasë qëndrime të ndryshme. Tani më duhet me i ba publike disa gjëra që unë nuk e kam mendu se do të vije ky moment për ti zbuluar disa prapaskena. Ju e dini që përbrenda LDK-së, një grup ka insistu të arrihet ky koalicion po ashtu një grup i fuqishëm që ka rezistu të arrihet ky koalicion. Në mesin e atyre që kemi punu fuqishëm për koalicion me VV kam qenë edhe unë. Unë kam ardhë në seli dhe ju kam takuar. Pasi ju kam dëgjuar se na pret një punë, një luftë kundër krimit e korrupsionit jam pajtu dhe ju kam garantu se do të më keni krahun e djathë dhe se shpinën nuk keni nevojë me e rujtë nga unë e as kolegët e mi. Do të luftojmë kundër të gjithë atyre që e kanë katandisë Kosovën. U pajtuat por duhej paguar një çmim. Duhej një kurban. Unë ju kërkova kur është në pyetje kauza për shtetin Glauku duhej të tërhiqej. Ju e menaxhuat mirë, Glauku u bë kurban. Ju e kishit një marrëveshje, por zgjodhët të tërhiqeni”, është shprehur Quni.