Quni kujton Kosharen: Pas sulmit tonë komandanti i serbëve u largua i pari
Deputeti Anton Quni, i cili gjatë kohës së luftës ishte në betejën e Koshares, ka thënë se pas sulmit nga forcat e UÇK-së në Koshare komandanti i forcave serbe ishte i pari ai që u largua duke i lënë ushtarët në mëshirën e rastit.
Ai ka kujtuar momentin e betejës në kufi, duke thënë se qysh në ditën e parë është krijuar epërsi nga UÇK-ja, transmeton televizioni publik.
“Që në ditën e parë kemi krijuar një epërsi. Ata nuk e kanë pritur këtë moment. Faktori befasi është shumë determinues në luftë. Ka pasur edhe më herët aksione, por aksione që kanë qenë të kufizuara në kohë e hapësirë. Kur kemi filluar ne, ata e kanë pasur paragjykimin se është një provokim, ose po i mbajmë të lidhur në atë terren. Edhe nga përgjimi fillimisht, komandanti e quan aksionin tonë manovër, por pas disa orëve kur e kanë kuptuar që gjenden në rrethim, e kanë kuptuar seriozitetin”, ka kujtuar Quni.
Quni shtoi se komandanti serb u largua dhe la ushtarët e tij pas vetes.
“Të nesërmen kur disa forca të tyre tentuan t’i ndihmojnë dhe nuk munden, atëherë filloi një deorganizim, një humbje besimi. Komandanti i tyre është larguar i pari nga aty duke i lënë ushtarët në mëshirën e rastit”, tha ai.