Qosja përsëri me disa fjalë për Handke, ai ka një propozim tjetër
Akademiku Rexhep Qosja ka reaguar pas polemikave që përfshinë komitetin e çmimit Nobel pasi Nobeli për Letërsinë këtë vit iu dha shkrimtarit austriak Peter Handke.
Sipas tij, “nëqoftëse Peter Handke veprat e tij thjesht letrare artistike, nuk i ka “stolisur” me politikën dhe ideologjinë e Millosheviçit, por vetëm gazetarinë e publicistikën e tij, disa nga shkrimtarë tanë, qoftë edhe të sotëm, jo vetëm gazetarinë e publicistikën, po edhe veprat e tyre, sidomos veprat e tyre letrare, romanet, dhe tregimet, dhe dramat e tyre i kanë “stolisur” me emrin e Stalinit, me “gjeniun” e Stalinit, me stalinizmin, me diktaturën e tij e me vizionin diktatorial që kishte ai për ardhmërinë”.
Qosja shton se “deshën, s’deshën, gojëtarët tanë kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë dhe Peter Handkes do të shihnin politikanë e shtetarë shqiptarë të mes dy luftërave botërore, që do të përkrahnin Benito Musolinin, do të shihnin politikanë e shtetarë të mëparshëm shqiptarë, por edhe ndonjë krijues që do të merrnin pjesë në institucionet shtetërore fashiste, që do të krijojë Duçeja në Shqipëri”.
Në fund, akademiku Rexhep Qosja bën një apel: “T’i lëmë rehat Suedinë, Komitetin e Nobelit dhe Akademinë Mbretërore Suedeze dhe të mendojmë për tjetër çka: të mendojmë se si të parandalojmë shkaqet që po rrënojnë kohezionin shoqëror e mbarëkombëtar të popullit shqiptar”.