QKUK kryen operacione të rralla, i shpëton miliona euro buxhetit
15 operacione të rralla janë kryer në Kirurgjinë Abdominale në QKUK, gjatë vitit 2019, duke i kursyer buxhetit të shtetit miliona euro.
Operacionet me procedurën WHIPPLE janë të rralla dhe radikale, ndërsa konsiderohen tejet efektive në heqjen e tumorit të barkut që shfaqet në pankreas dhe zorrën 12-gishtore.
“Intervenimi i tillë, me metodën klasike të hapur, zgjat zakonisht 4 deri në 8 orë, ndërsa me laparaskop koha është më e shkurtër dhe ndërhyrja është më pak invasive”, thuhet në një njoftim nga QKUK, përcjell FaktePlus.
Njoftimi i plotë:
Në Kirurgjinë Abdominale të Qendrës Klinike Universitare më 2019 janë kryer 15 operacione me procedurën WHIPPLE, e cila ka nisur të aplikohet në Qendrën Klinike Universitare viteve të fundit.
Ndërhyrja WHIPPLE është operacioni më radikal në kirurgjinë e barkut, me një qasje efektive në eliminimin e tumorit, që shfaqet në pankreas dhe në zorrën dymbëdhjetëgishtore.
Intervenimi i tillë, me metodën klasike të hapur, zgjat zakonisht 4 deri në 8 orë, ndërsa me laparaskop koha është më e shkurtër dhe ndërhyrja është më pak invazive.
Ky operacion kushton shumë jashtë vendit. Intervenimi, që po kryhet në QKUK, i ka shpëtuar miliona euro buxhetit të shtetit, kurse pacientëve ua ka ofruar mundësinë për trajtim në Kosovë.