QKMF e Drenasit u rinovua, por mbeti pa ashensor dhe me pajisje të vjetra
Prej disa viteve është duke u rinovuar objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Hafir Shala” në Drenas, por kjo qendër ende nuk i ka përmbushur kushtet e nevojshme për të ofruar shërbimet e duhura për pacientë. Kjo pasi, Qendra ende ka mbetur me pajisje të vjetra dhe pa shensor.
Pasi objekti është ndërtuar mbi 40 vite më parë edhe rinovimi ka qenë i domosdoshëm dhe tashmë punimet janë kryer në mure, dysheme, dyer e dritare, por qendra tani ka mungesë të pajisjeve teknike e mjekësore dhe shërbimet po kryhen me ato të vjetrat.
Drejtori i QKMF-së në Drenas, Ismet Bogiqi, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se ky objekt mes tjerash ka nevojë edhe për një ashensor për pacientët për trajtim në mjekësinë familjare.
Ai thotë se moshat e shtyra e kanë ndonjëherë të pamundur të marrin tretmanin mjekësor të mjekësisë familjare, pasi stafi që jep këto shërbime gjendet në katin e dytë të këtij objekti.
“Objekti në përgjithësi është në telashe, sepse është investuar disa herë porse ai është objekt i vjetër. Unë kam bërë një kërkesë tjetër dhe ma kanë aprovuar Kuvendi Komunal që të behën disa ndryshime dhe po e pres konfirmimin zyrtar për një investim të vogël për mjekësinë familjare. Problemi më i madh i qendrës sonë është ashensori, është një ashensor atje por që neve na nevojitet për repartin e mjekësisë familjare sepse ky repart është në katin e dytë e problem më të madh e kanë moshat e shtyra. Ky ashensor kushton diku 24 mijë euro dhe jemi në konsulta me Kuvendin Komunal”, thekson Bogiqi.
Edhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Drenasit, Arsim Haxhiu ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se pas renovimit të objektit, tani mungojnë vetëm pajisjet mjekësore.
Por, ai tha se gjatë muajit qershor të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë do të bëjë furnizimin me pajisje mjekësore QKMF-në në këtë qytet, por edhe qendrat e tjera të mjekësisë familjare.
“Varësisht nga buxheti i komunës, janë bërë investime të ndryshme në objekt. Ka 2 vite që janë bërë investimet e fundit, pra në riparime të brendshme hapësinore. Në pajise presim furnizimin prej Ministrisë së Shëndetësisë, jem fitues të disa pajisjeve mjekësore dhe presim që në mes të qershorit me përfundu edhe faza e fundit e këtyre pajisjeve ku kanë përfitu shumica e sektorëve të shëndetësisë në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare”, është shprehur Haxhiu.
Ndryshe, pacientët kanë dërguar në adresën e FaktePlus disa fotografi ku shihet se kjo qendër përballet me mungesë të inventarit dhe pajisjeve teknike mjekësore./FaktePlus