Qindra mijëra euro dënime për këto zgjedhje, vetëm dy parti paguan gjobat
Kosova më gjashtë tetor ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme. Në këto zgjedhje kanë garuar 25 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. KQZ ka publikuar rezultatet preliminare, të cilat kanë nxjerrë si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, pasuar nga LDK-ja, mandej PDK, AAK dhe Nisma, shkruan FaktePlus.
Por, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje, nuk shpëtuan pa dënime të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka shqiptuar gjoba prej qindra mijëra euro për shkeljet gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve.
Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku ka thënë se për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore dhe thyerjes së heshtjes zgjedhore PZAP, ka shqiptuar 360 mijë euro gjoba për subjektet politike.
E, prej 360 mijë euro gjoba deri më tani janë vetëm dy subjekte politike që kanë paguar gjobat e tyre.
Është subjekti i Partisë Liberale Egjiptiane,(PLE) e cila ka paguar në tërësi borxhin prej 1 mijë e 100 euro dhe subjekti tjetër Pokret Za Gora (PG), po ashtu 1 mijë e 100 euro.
Desku, ka sqaruar edhe se sa është në tërësi borxhi i të gjitha subjekteve politike veç e veç.
“Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK = 74,850.00 euro (nuk ka paguar), Partia Demokratike e Kosovës – PDK = 100,100.00 euro (nuk ka paguar), Lëvizja Vetëvendosje – 14,100.00 euro (nuk ka paguar), Lista Serbe – 36,500.00 euro (nuk ka paguar), Koalicioni AAK-PSD – 89,600.00 euro (nuk ka paguar), Koalicioni Nisma- AKR- PD – 33,900.00 euro (nuk ka paguar), PREBK – 250.00 euro (nuk ka paguar), IRDK Lendrit Qeli – 1,200.00 euro (nuk ka paguar), SLS – 5,100.00 euro (nuk ka paguar), PLE – 1,100.00 euro (ka paguar), VAKAT – 1,100.00 euro ( nuk ka paguar), KDTP – 1,100.00 euro (nuk ka paguar), PG – 1,100.00 euro, (ka paguar)”, ka thënë Desku, për FaktePlus.
Ai ka deklaruar se PZAP brenda afatit ka shqyrtuar dhe vendosur të gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët
“PZAP-i, brenda fatit ligjor i ka shqyrtuar dhe vendosur te gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike, kandidatët për deputët apo palët tjera te interesit. Ankesa e fundit e paraqitur në PZAP, mbanë numrin 376, datë 18.10.2019”, ka thënë Desku.
Ndërsa, duke folur për përfundimin e rinumërimit të vendvotimeve nga KQZ-ja, Desku ka thënë se janë në pritje të shpalljes së rezultateve përfundimtare, kurse ka treguar edhe kohën se kur palët mund të paraqesin ankesa.
“Tani jemi në pritje të përfundimit të rinumërimit të vendvotimeve nga KQZ-ja dhe pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, ndaj këtyre rezultateve palët mund të paraqesin ankesa në PZAP, brenda 24 orëve nga momenti i shpalljes së tyre nga KQZ-ja. Ndërsa PZAP-i ka për obligim qe brenda afatit prej 72 orëve ti vendos ankesat. Pas kësaj procedure nëse palët janë te pakënaqura me vendimet e PZAP-I mund te paraqesin ankesa ne Gjykatën Supreme te Kosovës brenda 24 orëve nga momenti i pranimit te vendimeve te PZAP-it. Ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës brenda afatit prej 72 orëve ka për obligim te vendos lidhur me ato ankesa. Vendimet e Gjykatës Supreme te Kosovës janë përfundimtare”, ka deklaruar ai për FaktePlus.
Ndërsa gjobat e paguara nga partitë politike, shkojnë drejtpërdrejt në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe këto gjoba partitë duhet t’i paguajnë patjetër në rast se duan të garojnë sërish në zgjedhjet e ardhshme./FaktePlus