Qindra lëndë për armët ilegale të pazgjidhura në gjykata
Lloje të ndryshme të armëve janë sekuestruar e konfiskuar nga autoritetet e rendit thuajse çdo ditë gjatë këtij viti në Kosovë. Vetëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për nëntë muaj, nga janari deri në shtator, janë pranuar 668 raste lidhur me kapjen e personave me armë pa leje.
Edhe pasi muajin shtator, është përmbyllur fushata “Me letra” për legalizimin e armëve, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetëra persona të cilët janë kapur me armë pa leje.
Nga Gjykata Themelore e Prishtinës kanë bërë me dije për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se për periudhën kohore prej nëntë muajsh të këtij viti janë hapur qindra raste.
Nga zyra për media e kësaj gjykatë kanë pohuar se për këtë periudhë kohore janë dhënë vetëm 26 dënime me gjobë, 4 dënime me kusht, si dhe disa dënime tjera.
Nga Gjykata Themelore e Prishtinës po ashtu kanë pohuar se për mbajtje në pronësi të armëve, kontrollë ose posedim të pa autorizuar të armëve, janë proceduar 566 lëndë.
Ndërkaq, për përdorim të armëve apo mjetit të rrezikshëm, janë evidentuar 102 raste.
Si do qoftë, njësitet policore edhe pasi ka skaduar afati për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë, kanë arrestuar gati çdo ditë persona që janë kapur me armë zjarri.
Të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se këtë vit, deri pak para përmbylljes së fushatës për legalizim, janë konfiskuar gati 1 mijë armë.
Arrestime çdo ditë për armë, gjykatat ende asnjë dënim sipas ligjit të ri
“Gjatë këtij tetë mujori (janar-gusht), policia ka konfiskuara 996 armë të llojeve të ndryshme dhe 11192 copë municion”, thuhet në përgjigjen e policisë.
E numër më i madh i konfiskimeve sipas policisë ka ndodhur gjatë vitit të kaluar.
“Policia e Kosovës për të krijuar ambient më të qetë, gjatë aktiviteteve dhe angazhimeve ditore, gjatë veprimeve operative dhe hetimore, në vitin 2018 ka konfiskuar 1473 armë të llojeve të ndryshme, si dhe 23 mijë e 941 municione ta kalibrave të ndryshëm”.
Ndërkaq sipas MPB-së kanë aplikuar rreth 1800 persona për legalizim të armëven, ndërsa numri i armëve ilegale në posedim të qytetarëve llogaritet të jetë rreth 250 mijë sosh.
Me ligjin e ri, mes tjerash parashihet gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Aty parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve./FaktePlus