Qindra bashkatdhetarë nga Suedia mashtrohen nga një agjencion i udhëtimeve
Agjencioni flytravel24.com ka mashtruar qindra bashkatdhetarë, të cilët kanë rezervuar bileta të udhëtimit në destinacionin Suedi – Kosovë, saktësisht Mallmo – Prishtinë dhe anasjelltas për sezonin e verës.
Kjo agjenci e cila udhëhiqet nga Mirsad Vatovci, ua ka marrë qindra bashkatdhetarëve paratë për t’ua rezervuar fluturimet gjatë muajve të verës. Kur qytetarët të cilët kishin rezervuar biletën kanë pyetur në aeroportin e Mallmos, aty iu kanë thënë se nuk ka këtë vit fluturime fare në destinacionin Mallmo – Prishtinë.
Një qytetar i Kosovës, i cili jeton në Suedi me inicialet G. M (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se vetëm për javën e kaluar kjo agjenci në krye me Mirsad Vatovcin i ka mashtruar mbi 200 kosovarë që jetojnë në Suedi, të cilët kanë rezervuar bileta tek agjencia që ai drejton.
“Agjencioni flytravel24.com, në krye me Mirsad Vatovcin, na ka mashtruar mbi 200 vetave vetëm javën e kaluar, edhe për 3 muajt e ardhshëm të këtij viti. Paratë ua kanë marrë të gjithë pasagjerëve”, ka thënë ky qytetar.
G. M tregon se si kjo agjenci ka shitur bileta për gjithë verën për destinacionin Suedi – Kosovë.
“Ka shitur bileta për gjithë verën në destinacionin Mallmo – Prishtinë dhe anasjelltas. Kurse, kur kontaktova me Aeroportin e Mallmos, me thanë se nuk ka aeroplan fare këtë vit për destinacionin Mallmo – Prishtinë”, tregon G. M.
Ai këtë rast e ka lajmëruar edhe në polici, të cilët i kanë thënë se vetëm në qytetin ku jeton personi G.M, i ka tri lajmërime Mirsad Vatovci për mashtrime me agjencinë e tij flytravel24.com.
“E kam lajmëruar në Polici këtë person. Policia më tha, vetëm në qytetin tonë 3 lajmërime i ka ky person për vjedhje”, shtoi G.M.
Pasi e kanë vërejtur bashkatdhetarët se janë mashtruar, Mirsad Vatovci, e ka mbyllë faqen e agjencionit në internet.
Ndërsa, mashtrimin e tij qytetarët kosovarë që jetojnë në Suedi kanë nisur ta denoncojnë edhe në rrjetin social Facebook, duke i paralajmëruar të tjerët që të mos rezervojnë bileta tek ky agjencion.
Shumë bashkatdhetarë duke komentuar në këtë lajmërim të bërë në Facebook, kanë shkruar se tashmë i kanë dhënë paratë për të udhëtuar, porse nuk u janë bërë rezervimet.
Madje, ka edhe të atillë që kanë udhëtuar nga qytetet tjera të Suedisë për në Mallmo për të udhëtuar në Kosovë dhe u është dashur të kthehen pasi nuk kanë pasur biletë rezervimi. /FaktePlus