Qeveritarë, kuvendarë, kujdes gjuha e komunikimit
Ky shkrim është shkruar në vitin 2017, po e risjelli për t’ju bërë një ftesë publike zyrtarëve të lartë të shteteve tona (Shqipëri e Kosovë) për t’u distancuar njëherë e mirë nga përdorimi i gjuhës skajshmërisht degraduese siç e pamë ditëve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë. Kundërshtitë mund të thuhen lehtas edhe me edukatë e kulturë, pse jo edhe me përmbajtjeje kuptimplote.
Në vazhdim shkrimi:
Qeveritarë, kuvendarë, kujdes gjuha e komunikimit
Nuk ka asnjë dyshim, kombi ynë ka shumë nevoja jetësore, për të cilat duhet pasur një bazë të fortë ekonomike e financiare, por ka diçka që nuk kërkon shumë financa, kërkon vullnet të mirë e kulturë të mirësjelljes. Duhet ta pranojmë, populli ynë ka pasur kushte të renda jetese, por kurrë nuk e ka pasur ketë disnivel komunikimi njerëzor e shoqëror!
Njeriu i politikës, e sidomos përfaqësuesit e popullit dhe zyrtarët e lartë të shtetit duhet të bëjë përpjekje permanente për të mos qenë idhnak si Kryeministri e zëvendësi i tij i deritashëm. Shembulli më i mirë sesi nuk duhet më qenë idhnak e kemi parë, sidomos, ndonëse jo vetëm, pas deklaratave të krerëve të koalicionit, pas protestës së 17 shkurtit 2016. Opozita e bashkuar, gjatë një viti e sa, ka qenë e goditur me një fjalor primitiv e degradues.
Ajo nuk guxon të bëhet pjesë e ati komunikimi me asnjë kusht! Ndonëse as opozita jo gjithherë ka qenë e kujdesshme në përdorimin e gjuhës në debat e komunikim. Politika e shoqëria shqiptare në përgjithësi, e kjo e Kosovës në veçanti, duhet shpejt ta nxjerrë mësimin e parë sesi nuk duhet më komunikuar me kundërshtarin politik apo dhe me mendimin e kundërt brenda një lloji a bashkimi politik. Secili politikan që kërkon përgjegjësi publike, duhet ta ushtroj e kalitë me durim komunikimin publik, se gjuha edhe pse është prej tuli, “LENDON GUR E HEKUR”!
Kujdes miq të nderuar, jo gjithçka që është shtruar në tryezën e bisedimeve me sinqeritet, duhet nxjerr për ata që nuk ishin prezent, se e vret besimin për komunikim. Gjersa ne kemi shimë nevojë për mirëbesim e mirëkuptim, që po i mungojnë shumë komunikimit tonë.
Le ta kultivojmë me dashuri e përgjegjësi, kulturën e komunikimit, që kaq shumë na është degraduar! Cilido që nuk ka edukatë e kulturë komunikimi, sa më larg përgjegjësisë publike. Se ajo që e nxjerr mikrofoni, kurrë nuk mund të kthehet prapa! Është më e shëndetshme për kombin tim, që të komunikojmë si njerëz me edukatë e kulturë!
Le të ik nga përgjegjësia publike secili idhnak i pa përgjegjshëm dhe i pa kulturë! /FaktePlus