Qeveria u thotë “STOP” të gjitha marketeve që rritën çmimet duke shfrytëzuar situatën me koronavirus
Kryeministri i Republikës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka bërë të ditur se do të formohet një komision shtetëror për çështjen e koronavirusit.
Komisioni sipas kryeministrit Kurti ka për detyrë të menaxhojë përhapjen e koronavirusit përfshirë edhe respektimin e ligjit. Kurti ka thënë se të gjitha bizneset si farmacitë e të tjera që ofrojnë produkte ushqimore e higjienike udhëzohen të operojnë sipas legjislacionit në fuqi dhe të mos abuzojnë me çmime.
Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka thënë se do të stopohen të gjithë ata që kanë abuzuar me çmimet duke shfrytëzuar këtë situatë. Ajo ka thënë se kanë urdhëruar kufizimin e rritjes së çmimeve për produktet që shiten në markete.
Ministrja Hajdari ka thënë po ashtu se inspektorët do të jenë në punë edhe pas orarit që e kanë zakonisht.
“Kemi vendosë të urdhërojmë kufizimin e rritjes së çmimet për produktet që shitet në marketet. Inspektorët do të jenë në punë edhe pas përfundimit të orarit të punës. Kjo urdhëresë vjen pas ankesave të shumta nga qytetarët, ku bizneset kanë rritur çmimet duke përdorur gjendjen ekzistuese. Inspektorati do të merr masat ndëshkuese për të gjithë ata që nuk respektojnë këto masa”, ka thënë ajo.