Qeveria thotë se ka rezerva ushqimore, radhë të gjata për miell
Gjendja e jashtëzakonshme e krijuar në Kosovë pas rasteve të para pozitive me virusin “Covid-19” ka bërë që të rritet numri i atyre që kërkojnë të furnizohen me rezerva ushqimore.
Radhë të gjata pati në fshatin Prugoc të Prishtinës, ku të shumtë ishin qytetarët që kërkonin të furnizoheshin me miell nga mulliri, derisa pati edhe prej tyre që kanë pritur më shumë se tetë orë.
Sipas tyre, furnizimi në këtë kohë kur qytetet po futen në karantinë është i nevojshëm ndonëse thonë se gjendja nuk është shqetësuese dhe për panik.
Fluksi i madh i qytetarëve që kërkojnë të furnizohen me miell po i dëmton edhe furrat e bukës në vend.
Sherif Çoçaj thotë se nëse vazhdohet me këtë situatë furrat shumë shpejt mund të mos kenë miell të mjaftueshëm për të furnizuar qytetarët me bukë.
Ai thotë se ka mungesë të miellit nëpër furrat e vendit, ndërsa shton se ato nuk po furnizohen mjaftueshëm, gjë që edhe ka krijuar panik tek qytetarët.
Përmes telefonit zëdhënësi i doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i ka thënë televizionit se vetëm gjatë dy ditëve të fundit në vend kanë hyrë rreth 200 tonë miell.
Ndërkaq ka shtuar se nuk po ndërpritet hyrja e mjeteve që bëjnë transportin e mallrave të ndryshme ushqimore.
Derisa gjatë ditës edhe ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, tha se shteti ka rezerva të mjaftueshme ushqimore.
Hajdari ka thënë se në kohën e krizës nga koronavirusi janë angazhuar Departamenti i konsumatorëve, rezervave dhe Inspektorati i Tregut, që të kontrollojnë rritjen e mundshme të çmimeve.