Qeveria s’ka asnjë plan e nuk di kah do të shkojnë mbi 4 mijë punëtorët e lojërave të fatit
Kazinove dhe qendrave të basteve sportive në Kosovë u është vënë dryni. Mbyllja e tyre erdhi pasi Qeveria e Kosovës mori vendim që të nisen procedurat për shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe këtë e vulosi Kuvendi i Kosovës me votën e shumicës së deputetëve. Kështu nga ky vendim mbi katër mijë punëtorë që kanë qenë të angazhuar në këtë biznes, do të mbesin pa punë.
Ishte vetë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili pasi u aprovua projektligji për ndalimin e lojërave të fatit në mbledhjen e Qeverisë, doli në një konferencë për media dhe foli për pasojat e këtij vendimi.
E kur është pyetur se çfarë do të bëhet me punëtorët të cilët ishin duke punuar në qendrat e basteve sportive, Haradinaj dha këtë përgjigje.
“…sa i përket humbjeve të vendeve të punës të personave të cilët kanë mbijetuar me pagat me punën në lojërat e fatit, ne do të interesohemi dhe jemi të gatshëm me i trajtu të githë ata të rinj që e kanë humbur punën, por ju e dini se mundësitë, megjithatë, janë të kufizuara…”, ka thënë mes tjerash Haradinaj.
Por, duket se kjo ka qenë vetëm një deklaratë e çastit dhe jo e menduar mirë, pasi kanë kaluar disa ditë nga vendimi për mbylljen e qendrave të basteve dhe gjithë lojërat e fatit dhe Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ndonjë plan konkret se ku do t’i sistemoj punëtorët e papunë.
Këtë e kanë konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, vartësit e kryeministrit Ramush Haradinaj, respektivisht këshilltari i tij, Haki Shatri.
“Njëherë nuk e di që ka ndonjë plan konkret që mund të realizohet kjo në një veprim konkret. Normalisht kryeministri si përgjegjës për çdo verpim që ndodh në Qeveri e ka marrë me përgjegjësi që me pas kujdes me këta njerëz që eventualisht mbesin pa punë e që kanë qenë në relacione pune me kontrata. Por, ende nuk ka diçka konkrete që mund të mbështetet në analizë e të thuhet se do të punësohen në këtë vend, apo në atë vend”, ka thënë ai.
Madje, ai e pranon se institucionet nuk kanë ndonjë të dhënë të saktë lidhur me numrin dhe kualifikimet e punëtorëve që kanë qenë të angazhuar në këtë biznes.
Këshilltari Shatri thotë se në të ardhmen do të interesohen që të gjejnë një zgjidhje për të papunët që mbetën në rrugë pas këtij vendimi të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
“Nuk dua të paragjykoj, sepse nuk kam as të drejtë, por vullneti është i mirë e do të interesohemi që në ditët e ardhshme të shikojmë format që të bëhet sistemim në sektorin privat, dikah ku të ketë mundësi”, potencon Shatri.
Ndërkohë, sipas njohësve të fushës, kompanitë e huaja e të vendin që kanë qenë punu ushtruar këtë biznes mund ta padisin Qeverinë e Kosovës, për një ndërprerje pa paralajmërim të punës së tyre.
Për Shatrin e drejta e gjithsecilit për t’u ankuar dhe për të bërë poadi është e garantuar dhe nëse ka proceduratë tilla nuk do të pengohen nga Qeveria e Kosovës.
Kjo e fundit, siç thotë Shatri do të reagojë varësisht prej vendimeve që do të merren për këtë çështje.
“Mund të them se Shoqata ka të drejtë të reagojë e t’i mbrojë interesat e anëtarëve të saj. Ata kanë të drejtë të ankohen, ngritin padi, askush nuk i pengon e as Qeveria nuk i pengon t’i kryejnë procedurat e rregullta. Por nëse del vendimi që duhet me i kompensu, varësisht prej vendimit, atëhere reagon Qeveria dhe në fund kur kryehtn procedurat dhe çka del vendimi përfundimtar ne duhet t’i përmbahemi procedurave”, theksoi Shatri.
Ndërkohë avokati Arianit Koci shpjegon se me këtë vendim të institucioneve për mbylljen e bizneseve me lojëra të fatit, janë shkelur të drejtat pronësore të investitorëve nga vendi dhe ndërkombëtarë.
Avokati, ka thënë se të japësh licenca e pastaj t’u tërheqësh në mënyrë Ad-Hoc është e palogjikshme.
“Tash Kosova është ekspozuar ndaj padive dhe arbitrazheve ndërkombëtare, dhe më këtë vendim edhe ligjet që vetë Kuvendi i ka miratuar – si ligji për të huajt, janë shkelë”, ka shpjeguar Koci.
Mbyllja e kazinove dhe qendrave të basteve sportive u mbyllën pasi ndodhën dy vrasje në lokalet ku ushtohej veprimtaria e lojërave të fatit. Një vrasje ndodhi në Suharekë dhe një tjetër në qytetin e Lipjanit.
Këto vdekje tronditën gjithë vendin, ndërsa pas vendimeve nga institucionet njësitet e Policisë së Kosovës së bashku me inspektorë tatimor e doganierë morën menjherë aksion që t’i bastisin bizneset e lojëra të fatit.
Janë mbi 200 lokale të tilla që janë mbyllur pas aksionit të Policisë. Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 202 aparate të ndryshme të fatit, një tavolinë rolet, 32 mijë e 441 euro, 850 dollarë dhe 150 franga.
Lojërat e fatit siç thotë kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu i kanë paguar shtetit mbi 30 milionë euro në vit në formë të tatimeve, akcizës etj.
Pas ndalimit të tyre, Veliu ka paralajmëruar mundësinë e ngritjes së padisë ndaj vendimit për mbyllje.
“…Ne do të ankohemi në të gjitha gjykatat e mundshme, vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë Veliqi për media.
Kazinotë dhe qendrat e basteve sportive, kanë qenë mjaft të frekuentuara nga një pjesë e qytetarëve. E nga to ka përftuar edhe shteti. Të dhënat tregojnë se të hyrat nga tatimet e ndryshme të bizneseve të lojërave të fatit, siç janë tatimi në qira, tatimi në paga, si dhe tatimi në këstet tremujore të të hyrave, ka qenë më miliona.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur mbi 1 milion e 700 mijë euro nga gjobat ndaj këtyre bizneseve, për mosrespektim të Ligjit për lojërat e fatit.
Kurse 15 milionë e 874 mijë euro, është shuma totale e akcizës që kanë paguar bizneset e lojërave të fatit, gjatë vitit 2018. Ndërsa, një vit më herët, më 2017, nga akciza për këto biznese në arkën e shtetit kanë shkuar 12 milionë e 479 mijë euro./FaktePlus