Qeveria s’e shkarkon Rikalon, PSD s’e voton buxhetin pa plotësimin e këtij kushti
Deri më 20 janar pritet që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta shqyrtojnë në lexim të dytë Projektligjin për Buxhetin e vitit 2019 dhe ta miratojnë atë. Kështu të paktën presin zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilën shpresojnë se në seancën e parë, e cila do të caktohet pas pushimit dimëror, buxheti do të futet si pikë e rendit të ditës për shqyrtim dhe miratim.
Kjo pritje e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj është pasi meton të marr votat e deputetëve opozitarë, përkatësisht atyre nga radhët e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, meqë edhe ia kanë premtuar votën e tyre qysh në leximin e parë më 21 dhjetor të vitit të kaluar.
Mirëpo, për ta votuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2019, PSD-ja e Shpend Ahmetit ia ka vendosur Ramush Haradinajt, realizimin e pesë pikave, për ndryshe ata nuk do ta japin votën e tyre.
Ligji për buxhetin procedohet menjëherë pas pushimeve
Megjithkëtë, Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, pret që PSD ta mbajë premtimin sepse kërkesat janë të pranueshme dhe të plotësueshme.
“Kryeministri ka thënë atë ditë në Kuvend që kërkesat janë të pranueshme, të nevojshme, të dobishme për t’i përfillur. Ne jemi duke punuar që t’i përfillim, paralelisht të procedohet ligji për pagat edhe kërkesat tjera. Ka, ndoshta nja dy kërkesa që nuk mund të realizohen përnjëherë me buxhetin sepse janë të asaj natyre që nuk mund të kryhen. Ligji për buxhetin bashkë me këto dy ligjet tjera do të procedohen në seancën e parë që do të thirret pas pushimeve të janarit, diku kah mesi. Por në janar sigurisht, ndoshta thirrja e Kuvendit bëhet deri kah mesi i janarit, ose 20 janari besoj do të kryhet”, ka thënë Shatri për FaktePlus.
Dy kërkesa vështirë të realizohen
Mirëpo, dy nga kërkesat e PSD-së, për Shatrin janë më vështirë të realizueshme, siç është kërkesa për shkarkimin e ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo dhe ligji për skemat pensionale.
“Disa kërkesa për dorëheqje, shkarkime, janë pak më të komplikuara politikisht. Pastaj është ligji për skemat sociale që kërkon pak më shumë kohë, është më kompleks sepse nuk mund të procedohet për ngutë sepse nuk mund të dalin gabime”, ka theksuar Shatri.
PSD nuk voton pa plotësimin e kërkesave, shkarkimin e Rikallos
Por, në anën tjetër, zyrtarët e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, kanë theksuar se nuk do ta votojnë Projektligjin për Buxhetin në lexim të dytë në qoftë se nuk plotësohen të gjitha kërkesat e tyre që ia kanë bërë Qeverisë.
Deputeti i PSD-së, Faton Topalli në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, kujtoi faktin se kryeministri i Kosovës është zotuar publikisht se do t‘i përmbush të gjitha kërkesat.
“PSD pa përmbushjen e të gjitha kërkesave, krijimin e komisionit për reformimin e sistemi pensional, miratimin e Ligjit për pagat, miratimin e Ligjit për Dialogun me Serbinë, shkarkimin e ministrit Nenad Rikallo dhe përgjysmimin e zëvendësministrave, nuk do ta votojë Buxhetin e Kosovës për vitin 2019. Te gjitha këto ndryshime janë shumë të nevojshme dhe ndikojnë drejt për së drejti në kualitetin e jetës së qytetarëve. Unë shpresoj që zotimet publike të kryeministrit do të plotësohen”, ka thënë Topalli për FaktePlus.
Projektligji për Buxhetin e vitit 2019 është shqyrtuar dhe miratuar në lexim të parë më 21 dhjetor të vitit 2018 nga deputetët e koalicionit qeveritar dhe me përkrahjen e deputetëve të PSD-së, kurse nuk e kanë votuar dy partitë tjera opozitare, LDK e Vetëvendosje.
Sipas projektimeve Buxheti i Kosovës për vitin që kemi hyrë pritet të jetë rreth 2.3 miliardë euro./B.Syla – FaktePlus