Qeveria në detyrë mund ta dërgojë buxhetin në Kuvend thonë ekspertët e ekonomisë
Mbi 80 mijë zyrtarë publikë dhe mbi 300 mijë qytetarë që varen nga skemat sociale rrezikojnë që nga muaji mars të mbesin pa paga.
Megjithëse projektbuxheti i 2020-s ishte dërguar në Qeveri nga Ministria e Financave, ai nuk u shqyrtua nga ekzekutivi, me arsyetimin se Kuvendi nuk është funksional.
Por, as tani kur është konstituuar përbërja e re e Kuvendit, qeveria në dorëheqje po insiston se nuk ka të drejtë ligjore që ta procedojë tutje projektbuxhetin.
E derisa mosmiratimi i buxhetit ka bllokuar të gjitha investimet kapitale, sipas Fatmir Gashit, Zv.ministër në detyrë i Financave, Ligji për menaxhimin e financave publike parasheh vetëm edhe një mundësi ligjore sa u përket pagave.
Por, ekspertët e ekonomisë thonë se qeveria në detyrë nuk ka asnjë pengesë ligjore që ta procedojë projektligjin e buxhetit në Kuvend.
Sipas Berat Thaçit nga Instituti GAP, Gjykata Kushtetuese nuk ka kufizuar asnjë kompetencë të qeverisë në largim dhe për këtë i lejohet të dërgojë buxhetin për miratim, për të evituar një të mundshme buxhetore.
Paralajmërimi për krizë buxhetore ka vënë në lëvizje SBASHK-un, që po kërkon që institucionet të ndërmarrin hapat e nevojshëm që të mos krijohet situatë e rëndë në sektorin publik.
Kurse, eksperti i çështjeve ekonomike, i cili tashmë është pjesë e Vetëvendosjes, Hekuran Murati, përmes një statusi Facebook, ka thënë se Kosova nuk rrezikohet nga një krizë financiare.
Sipas tij, krejt çka nevojitet është formimi i komisioneve parlamentare për t’u bërë funksionalizimi i plotë i Kuvendit.
“Kosova nuk do të ketë krizë buxhetore. Kuvendi tashmë është konstituuar dhe krejt çka duhet është formimi i komisioneve parlamentare që të sigurohet funksionimi i plotë i institucionit”, ka thënë Murati.