Qeveria ndan mbi 270 mijë euro për familjet në nevojë
Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim për ndarjen e 273.600 eurove për zbatimin e masës 3.4 – kuponë ushqimi për familjet në nevojë të Pakos së ringjalljes ekonomike.
Ky vendim është marrë sot në mbledhjen elektronike tëë Qeverisë.
“Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e 273,600 euro për zbatimin e masës 3.4 – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, si dhe vendimin për ndarjen e 500,00 euro për zbatimin e masës 1.7 – Skema e Granteve për Zanate të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, është bërë e ditur nga Qeveria.
Në fund të vitit të kaluar secila familje që ishte përfituese e asistencës sociale, ka pasur mbështetje shtesë të menjëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit, përkatësisht blerjen e druve të zjarrit.
Këto janë të gjitha vendimet që janë marrë sot:
– Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 07/60 të datës 27.01.2021 dhe Vendimit Nr. 08/121 të datës 25.01.2023 për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit Nr. 11/68 të datës 23.03.2022 për formimin e Komisionit për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike. Sipas këtij ndryshim-plotësimi, z. Driton Ademi, zëvendës anëtar, zëvendësohet nga z. Destan Mustafa, zëvendës anëtar i këtij komisioni. Gjithashtu znj. Elmaze Pireva, anëtare, zëvendësohet nga z. Berat Jashari, anëtar.
– Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 04/143 të datës 24 maj 2023, sipas së cilit ndryshohet dhe plotësohet pika 1.5 e vendimit në fjalë si në vijim: 1.5. Znj. Adelina Berisha, përfaqësuese nga Shoqëria Civile, anëtare.
– Vendimin për ndarjen e 273,600 euro për zbatimin e masës 3.4 – Kuponë ushqimi për familjet në nevojë të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
– Vendimin për ndarjen e 500,00 euro për zbatimin e masës 1.7 – Skema e Granteve për Zanate të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
– Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”.
– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Komunës së Prizrenit dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren” .
– Raportin e Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2023.
– Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023.