Qeveria i ndali nga 15 dhe 50 euro prej bonuseve të pandemisë, reagon BSPK
Bonuset që Qeveria e Kosovës ka nisur t’i shpërndajë për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave të bukës, barnatoreve, si dhe personeli mjekësor publik, ata nga policia, FSK e zjarrfikësit, për punën e tyre të kryer në terren gjatë kohës së pandemisë, u janë nënshtruar tatimit.
Kështu së paku është raportuar dje në media.
Pra, punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave të bukës, barnatoreve që parashihej të merrnin nga 100 euro shtesa, i morën vetëm nga 85, pasi 15 euro u janë ndalur si tatim.
Njëjtë janë tatuar edhe shtesat për mjekët, policët, zjarrfikësit, inspektorët, personelin e FSK-së që ishin të angazhuar në luftimin e pandemisë në gjithë vendin dhe në karantinën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë.
Ata, parashihej të përfitonin nga 300 euro, por në kontot e tyre kanë dalë nga 250 euro, pasi 50 euro janë ndalur si tatim.
Për këto tatime, respektivisht ndalesa në bonuse për punën e kryer gjatë pandemisë, ka reaguar kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini.
Kryesindikalisti Ajdini në një prononcim për FaketPlus ka thënë se ky është një keqpërdorim i madh nëse këto raste verifikohen dhe se Inspektorati i Punës duhet t’i verifikojë këto raste.
“Për këtë çështje është inspektorati i punës, i cili duhet të del në terren dhe t’i verifikojë rastet…Ky është një keqpërdorim i madh, prandaj inspektorati i punës duhet të merr masa. Punëtorët nuk duhet të ndëshkohen. Ndërsa ata që e kanë shkelur ligjin, duhet të ndëshkohen gjithsesi”, theksoi Ajdini.
Megjithatë, Ajdini shtoi se në BSPK ende nuk ka pranuar ndonjë ankesë me shkrim për këto raste.
Edhe pse, jo të gjithë punëtorët do të përfitojnë nga kjo masë. Kjo pasi që bonuset janë kufizuar me kushtin që punëtori të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorin gjatë punës së bërë.
Kush janë përfituesit e pakos emergjente?
Pakoja Fiskale Emergjente e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës:
Masa 1– Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale (3 muaj);
Masa 2- Pagesa shtesë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale nën 100 euro (3 muaj);
Masa 3- Mbështetja financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si rezultat i situatës emergjente, dhe atë:
(a) Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro ( 2 muaj)
(b) Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
(c) Mbulim i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim.
Masa 4- Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike (kthimi bëhet deri në fund të vitit 2020);
Masa 5- Sigurimi i mbështetjes financiare për Komuna e Republikës së Kosovës (total prej 10 milionë euro);
Masa 6- Sigurimi i shtesës mbi pagën në vlerë 300 euro për punonjësit e sektorëve esencial të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejtë rrezikut të infektimit (2 muaj);
Masa 7- Pagesë shtesë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve (2 muaj);
Masa 8- Pagesa e asistencës mujore prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës emergjente (regjistrimi bëhet përmes ATK-së dhe kjo masë është për 2 muaj);
Masa 9- Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikë e Kosovës, e të cilët janë goditur rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dy milionë (2,000,000.00 €) euro;
Masa 10- Sigurimi i likuiditetit financiar për dy kategori:
(a) Mikro-ndërmarrjet dhe të vetë–punësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit Kosovar për Garanci të Kredive, në shumën deri në dhjetë mijë (10, 000 €) euro për periudhën 2 vjeçare, në vlerë deri në pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro.
(b) Shoqëritë Tregtare/Kompanitë e autorizuara të cilat ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kuadër të vlerës së përcaktuar të pikës 1.4 të vendimin për Pakon Fiskale Emergjente.
Masa 11 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej pesë milionë euro (5, 000,000.00 €) euro;
Masa 12 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga gjendja e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00€) euro;
Masa 13 – Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dhjetë milionë (10, 000,000.00€) euro;
Masa 14 – Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga njëqind e tridhjetë (130€) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në gjashtë milionë (6,000,000.00€), euro;
Masa 15 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130€) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, e që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga Buxheti i Kosovës, dhe kjo për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00€) euro
Ndryshe me qëllim të mos përhapjes së pandemisë COVID19, Qeveria e Kosovës nga 13 marsi ka marrë vendim për mbylljen e shumë bizneseve në vend.
Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179,6 milionë euro./FaktePlus